Arbëri

Vuçiqi: S’njoh nënë që do të dërgonte djalin në luftë, lehtë e kemi ne meshkujt të flasim pas 5-6 birrave

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se është joreale të pritet që brenda pak javësh të arrihet marrëveshja me Kosovën për normalizim të marrëdhënieve.

Vuçiqi në një intervistë në “Tv Prva” të enjten mbrëma, foli gjerë e gjatë për Kosovën dhe presionet sipas tij, që kësaj çështje t’i jepet fund.

Ai tha se nuk mund të ecet përpara pa u zbatuar, sipas tij, nga Kosova marrëveshjet e arritura deri më tash. U fokusua te krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Situata në Kosovë është shumë e komplikuar si në aspektin politik ashtu edhe në atë të sigurisë”, tha ai, përcjell "Danas".

Kur foli për sigurinë tha se do të bëjë të pamundurën që 1999-a të mos përsëritet.

“A njihni ju ndonjë nënë që do të dërgonte të birin në luftë? Unë nuk njoh. Lehtë e kemi ne meshkujt në kafene që pas 5-6 birrave të flasim”, tha ai.

Vuçiqi shtoi se Serbia duhet të ndjekë rrugën evropiane, jo vetëm për shkak të ekonomisë, por edhe vlerave kulturore.