Arbëri

Osmani: Vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke më se urgjente

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se vendet anëtare të BE-së duhet ta marrin parasysh rekomandimin e Komisionit Evropian, i cili tashmë e ka konfirmuar se e mbështet heqjen e vizave, ngase Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.

Në vazhdën e takimeve, Osmani të martën ka takuar ambasadorët e Kroacisë, Bullgarisë, Çekisë dhe Hungarisë, lidhur me liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Në takim me ambasadorët, ajo falënderoi Kroacinë, Bullgarinë, Çekinë dhe Hungarinë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, përfshirë takimin e fundit të grupit teknik punues të Këshillit Evropian, ka njoftuar Presidenca përmes një komunikate.

“Presidentja Osmani ka theksuar se është më rëndësi që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej, në procesin e liberalizimit të vizave deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi”, thuhet në njoftim.

Sipas Osmanit vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke është më se urgjente, ndaj liberalizimi i vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti.

Osmani kërkoi vazhdimin e mbështetjes ndaj Kosovës edhe në procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës.