Arbëri

Kusari-Lila për kritikat e Abazit: Kam mbështetjen e plotë të Kurtit

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, mohoi se po minon debatin e brendshëm brenda grupit, kritikë që kohë më parë i është bërë nga deputeti i VV-së, Haki Abazi.

Shefja e deputetëve të LVV-së, tha se grupi i tyre parlamentar është shembull i demokracisë së brendshme.

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, aktualisht deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka kritikuar shefen e grupit parlamentar, duke thënë se “po minon diskutimet brenda” si dhe “është handikap i madh” që kryetarja e GP-së nuk vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, por pozita i takon si pjesë e koalicionit me partinë e Kusari-Lilës, Alternativa.

Kusari-Lila, në një intervistë për Ksp, sugjeroi deputetin Abazi që të përdorë mekanizmat e brendshëm për çfarëdo ankese, përfshirë edhe Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas saj, pretendimet e deputetit Abazi për minim të demokracisë brenda grupit parlamentar janë të paqëndrueshme dhe të njëjtat nuk janë iniciuar as në organin vendimmarrës të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kusari-Lila shtoi se ka mbështetjen e plotë nga kryetari i LVV-së, njëherësh kryeministri Albin Kurti.

“Jo vetëm që ka demokraci, por me siguri Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, jo vetëm në këtë legjislaturë, por edhe të kaluarën është shembull për mënyrën si debatohet dhe si zhvillohet demokracia e brendshme. Arsyeja dhe fakti që shumë lajme dalin nga grupi ynë parlamentar, natyrisht jemi edhe grupi më i madh, ku deputetët shprehin lirshëm mendimin e vetë tregon këtë funksionim apo nivel të demokracisë. Pra edhe pse janë pjesë e një grupi parlamentar deputetët shprehin mendimet e tyre që jo gjithmonë janë në përputhje me politikën e përgjithshme të subjektit politik apo grupit parlamentar. Sa i përket akuzave individuale të deputetëve të caktuar, ekziston format dhe forum i mirëfilltë në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje. Çka do që lidhet me subjektin adresohet qoftë në grup parlamentar apo Këshill të Përgjithshëm. Kushdo para se të vendosë që ato t’i prezantojë para mediave, besoj se duhet konsumuar mekanizmat e brendshëm. Ky është një debat që do të duhej të zhvillohet në Këshillin e Përgjithshëm. Informatat që i kam unë, ai nuk është zhvilluar asnjëherë dhe nuk është iniciuar. Unë si kryesuese e grupit parlamentar të LVV-së, jam propozuar nga kryetari i partisë, votuar nga deputetët me shumicë”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo tregoi se ka pasur dallime në mendime edhe me deputetë të tjerë të grupit parlamentar të LVV-së, madje, sipas saj edhe më dramatike, por vazhdon komunikimin dhe bashkëpunimin në pika të tjera.

“Pyetja është për të, jo për mua. Krejt çka bëj është në kuadër të agjendës dhe mënyrën si unë udhëheq grupin. Personalisht nuk zhvilloj agjenda ndaj askujt, ajo është në koordinim të plotë me grupin parlamentar. Shihet se ne kemi pasur dallime në mendime me deputetët të tjerë shumë më dramatike, por vazhdojmë komunikimin dhe bashkëpunimin në pika të tjera. Politikat e Kuvendit dhe kësaj legjislature janë të natyrave të ndryshme. Gjëja e fundit ose që nuk prodhojnë asnjë efekt janë kur personalizohen çështjet. Në ato raste nuk pranoj as afër të hyj në debat, pasi këtu nuk jemi në kapacitetin personal, por jemi me mandat që na kanë dhënë votuesit”, ka shtuar ajo. /ksp