Arbëri

Ministria e Arsimit s’merr përkrahjen e prindërve për mësim të shtunave

Nxenesit ne shkolle

Përkundër se një numër i vogël i nxënësve u paraqitën në objektet shkollore të shtunën, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka insistuar se kompensimi i orëve të humbura do të vazhdojë gjatë fundjavave.

Kalendari i ri shkollor i përpiluar nga Ministria për kompensimin e 22 ditëve të humbura mësimore për shkak të grevës të mësimdhënësve nuk do të ndryshohet.

“Sikur të lihet deri në fund të vitit të shkollor, do të vazhdojë gjysmëvjetori i dytë deri në gjysmën apo në fund të korrikut, që është e vërtetuar edhe në vitet e kaluara, që as për së afërmi efikasiteti nuk do të jetë sikurse nëse organizohet tani”, tha Nagavci.

Për mosrealizimin në tërësi të procesit mësimor të shtunën që shkoi, ministrja ka fajësuar prindërit.

“Përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve me deklaratat e tyre shpesh të pamatura dhe të paqëndrueshme konsideroj që kanë krijuar huti”, shtoi ajo.

Në Këshillin e Prindërve të Kosovës nuk kanë dashur ta komentojnë deklaratën e Nagavcit, por kanë thënë për KOHËN se vlerësojnë që prindërit kanë vepruar drejt dhe ligjshëm.

Prindërit thonë se mësimi të shtunave shkakton lodhje te nxënësit dhe penalizon procesin e mësimnxënies për ditët e tjera të javës.

Por me këtë konstatim nuk u pajtua Nagavci.

“Janë tre muaj të humbur dhe nuk qëndron fakti se fëmijët janë të lodhur e të ngarkuar”, shtoi Nagavci.

Sociologu Jeton Brajshori vlerëson se për shkak të angazhimit të prindërve në punë, fëmijët kanë nevojë të qëndrojnë me familje gjatë ditëve të fundjavës.

“Fëmijët do të ngarkohen nëse shkojnë gjashtë ditë në javë për arsye se fundjave është për pushim si për fëmijët, ashtu për prindërit dhe në këtë mënyrë ata e gjejnë shoqërizimin në familje duke e kaluar vikendin”, u shpreh Brajshori.

Mbajtjen e procesit mësimor gjatë të shtunave e ka kundërshtuar edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit.

Udhëheqës të saj kanë thënë se mësimdhënësit nuk do t’i kompensojnë orët mësimore, derisa Ministria t’i ftojë në takim për të diskutuar.

Nagavci të hënën ka thënë se është e gatshme të takohet me sindikalistët.

Greva në arsim u mbajt nga 25 gushti deri më 3 tetor.