Arbëri

PDK-ja kërkon që deri të premten të shkarkohet ministrja Hajdari

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që deri të premten të shkarkojë ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Sipas shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, Hajdari “ka bërë disa skandale të vazhdueshme, për të cilat as nuk ka dhëne llogari e as përgjegjësi”. Si skandal të fundit të saj e ka vlerësuar aktakuzën e ngritur për mosdeklarim të pasurisë.

Në një konferencë për media të shtunën, Tahiri ka thënë se një ministre “e cila nuk e deklaron pasurinë, në krye të shumë skandaleve të tjera, duhet të shkarkohet”.

“Në kodin e procedurës penale që ne kemi miratuar në Kuvend, parashihet suspendimi i zyrtarëve të lartë publikë të cilët kanë aktakuza për krim të organizuar dhe korrupsion. Sot, Vetëvendosje e ka një ministre e cila ka aktakuzë për mosdeklarimin e pasurisë, atëherë çfarë roli ka kodi i procedurës penale që ne e kemi miratuar? Kjo është e paparanueshme”, ka thënë Tahiri.

Ai ka paralajmëruar një rezolutë në Kuvend që t’i bëhet thirrje kryeministrit për shkarkimin e Hajdarit.

Ndërkaq deputetja Blerta Deliu-Kodra ka thënë “pas të gjitha këtyre skandaleve që i ka bërë gjatë kësaj periudhe, nga skandali i kompanisë ndërtimore që blen grurë, shkelja e fëmijës me veturë, promovimi i Kosovës në revistën franceze si vend ku kanë lindur manastiret serbe dhe deri te mosdeklarimi i pasurisë – duhet ta bindin kryeministrin që ta shkarkojë atë”.