Arbëri

Mësimi në kontejnerë, nxënësit në veri të Mitrovicës pengje të politikës

Flamur Gacaferi, drejtor i shkollës, e ka ndërlidhur me çështje politike mungesën e një objekti të ri shkollor për nxënësit shqiptarë të lagjes “Kodra e Minatorëve” në veri të Mitrovicës, të cilët për më se 23 vjet mësimin e vijojnë në dy kontejnerë të improvizuar. “Kemi bërë kërkesa të vazhdueshme, qysh nga viti 2000 e këndej, por ky është problem politike. E edhe numri i nxënësve është i vogël”, ka vlerësuar Gacaferi. Në Ministrinë e Arsimit kanë thënë se tashmë është bërë planifikimi për ndërtimin e një shkolle të re, porse procesi ka ngecur, shkaku që nuk është ndarë një lokacion

Rruga që shpien drejt dy kontejnerëve të montuar në një cep të rrugës në lagjen “Kodra e Minatorëve” në veri të Mitrovicës nuk e shpërfaq asnjë shenjë dalluese se aty pranë ndodhet një shkollë.

Kontenjerët pa asnjë logo për tash e 23 vjet kanë shërbyer si hapësira ku kanë zhvilluar procesin mësimor nxënësit shqiptarë të lagjes së qytetit të ndarë nga lumi Ibër.

Ndonëse kanë thënë të jenë mësuar me kushtet e pamjaftueshme për mësim, disa nga nxënësit e shkollës “Aziz Sylejmani” kanë theksuar si problematikë të veçantë ndikimin nga kushtet atmosferike.

“Unë jam në klasën e gjashtë. Kjo nuk është aq shkollë e madhe, është kontejner. Nuk duket edhe aq si shkollë. Jemi katër nxënës, jemi pak vetë në gjithë klasën.... Dimrit këtu është ftoftë, e verës është shumë nxehtë”, ka thënë Loresa Peci, nxënëse në klasën e gjashtë.

Agnesa Rexha, njëra nga mësimdhënëset e shkollës, krahas ndikimit të kushteve atmosferike ka vënë theksin edhe te mungesa e mjeteve për mësim të mirëfilltë.

“Për dimër është shumë problem kur janë temperatura të ulëta. Këta janë tepër të vegjël që ta zhvillojmë orën në poligon. I kemi bërë disa kërkesa që të na sjellin tabelë të pingpongut apo disa gjëra të tjera për ta zhvilluar mësimin, edhe në oborrin e shkollës”, ka bërë të ditur Rexha.

Përveç telasheve me mungesën e mjeteve të punës dhe të objektit, mësimin në këtë shkollën së fundi e kanë trazuar edhe çështjet e sigurisë. Të shtënat me armë nga disa fqinjë serbë të lagjes kishin ndikuar që mësimi aty të ndërpritej gjatë javës së shkuar.

“Është problem. Nuk është siguri e mirë këtu, sepse para disa ditëve kanë gjuajtur me armë zjarri. Kemi pasur frikë. Kemi mbajtur pak (mësim), pastaj kemi shkuar në shtëpi”, ka treguar nxënësja Peci.

Shoqja e saj e klasës, Dhurata Syla, ka shprehur gjithashtu shqetësimin për sigurinë e nxënësve.

Flamur Gacaferi, drejtor i shkollës, ka thënë se vendimi për ndërprerjen e mësimit në ditën e shkrepjes së armës është marrë pikërisht për sigurinë e nxënësve.
“Javën e kaluar e kanë pasur një festë. Është shtënë me armë. Fëmijët janë frikësuar dhe është dashur që ta përfundojmë mësimin para orarit”, ka bërë të ditur Gacaferi.

Ai ndërtimin e një objekti shkollor për nxënësit shqiptarë të lagjes e ka ndërlidhur me çështje politike.

“Kemi bërë kërkesa të vazhdueshme, qysh nga viti 2000 e këndej, por ky është problem politike. E edhe numri i nxënësve është i vogël”, ka vlerësuar ai.

Politike e ka quajtur çështjen edhe nënkryetarja e Komunës në veri të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq. Ajo ka thënë se vendimi për ngritjen e godinës së re nuk varet vetëm nga qeverisja lokale.

“Ndërtimi i një shkolle të re përbën një proces tërësisht tjetër, i cili nuk varet vetëm nga qeverisja lokale. Janë disa parametra të tjerë që duhet të përmbushen, por në anën tjetër, ka një efekt politik për të cilin unë nuk kam as ndikim dhe as nuk është përgjegjësi imja. Nuk ka kurrfarë mundësish që të ndërtohet ndonjë objekt i ri. Kjo vlen edhe për shkollën”, ka thënë Hoxhiq.

Në Ministrinë e Arsimit, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për KOHËN, kanë thënë se është bërë planifikimi për ndërtimin e një shkolle, porse procesi ka ngecur, shkaku që nuk është ndarë ende një lokacion.

“MASHTI ka pranuar kërkesë nga drejtori i shkollës dhe ka bërë edhe planifikimin për ndërtimin e objektit, me ç’rast ndërtimi ka qenë i përfshirë në Ligjin e buxhetit të vitit 2018. Por kjo nuk është realizuar në mungesë të caktimit të lokacionit (sepse sipas përfaqësuesve të komunës, parcela ku ndodhen kontejnerët nuk është pronë e shkollës). Po ashtu, nuk ka lëshuar leje për ndërtim”, është bërë e ditur në përgjigjen e MASHTI-t.

Çështje politike e kanë quajtur në MASHT mungesën e gatishmërisë së autoriteteve komunale për bashkëpunim në ndërtimin e një objekti të ri për nxënësit shqiptarë të “Kodrës së Minatorëve”.