Arbëri

Thaçi dhe të tjerët – kalimi i dosjes te trupi gjykues deri në fund të vitit

Shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë (DHSK), Angela Griep ka thënë se në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, gjykatësi i procedurës paraprake vëren se janë përmbushur hapa të rëndësishëm procedural për kalimin e dosjes gjyqësore te trupi gjykues në fund të këtij viti.

“Në çështjen Thaçi dhe të tjerët, më 29 shtator Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi. Ai konstatoi se ekziston ende rreziku që i akuzuari të arratiset, pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë krime të tjera. Në vendimin e tij, Gjykatësi i Procedurës Paraprake rikujton afatet që i janë vendosur Prokurorisë dhe Mbrojtjes për të avancuar përgatitjet për gjykim dhe vëren se janë përmbushur hapa të rëndësishëm proceduralë për kalimin e dosjes gjyqësore te trupi gjykues brenda fundit të këtij viti. Bazuar në këtë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake konstatoi se vazhdimi i paraburgimit të z. Thaçi nuk është disproporcional”, tha Griep.

Gjatë informimit javor, ajo ka thënë se më 29 shtator gjykatësi procedurës paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit ndaj Thaçit, duke shtuar se “gjykatësi ka konstatuar se ende ekziston rreziku që i akuzuari të arratiset, të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë krime”.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se më 7 tetor, Zyra Administrative ka njoftuar se Ministria e Drejtësisë në Kosovë është pajtuar me propozimin për caktimin e një pike kontakti për marrjen e kërkesave të ekipeve të mbrojtjes, për informacion apo ndihmë. Griep ka thënë se Ministria e Drejtësisë i ka dërguar të dhënat e personave për kontakt.

Lidhur me çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, zëdhënësja e DHSK-së tha se Paneli i Apelit ka nxjerrë vendim lidhur me kërkesat e ekipeve të mbrojtjes ku pretendojnë se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dorëzuar përgjigje ndaj apelit të tyre në përputhje me Rregulloren.

Ajo tha se Paneli i Apelit nuk u pajtua me këtë pretendim dhe e rrëzoi atë.

Griep ndër të tjera tha se më 7 tetor, Zyra e Administrative e ka njoftuar Panelin e apelit se Hysni Gucati e ka paguar gjobën prej 100 eurosh që ishte vendosur si pjesë e dënimit të tij.

Për çështjen Pjetër Shala, ajo tha se Trupi Gjykues ka caktuar datat 18, 19 dhe 20 tetor për konferencat përgatitore për gjykim, ndërsa 21 tetorin datë rezervë. /ksp