Arbëri

“Petit Fute” prezanton Kosovën si vend të manastireve serbe, kërkohet dorëheqja e ministres Hajdari

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në seancën e së premtes të Kuvendit të Kosovës ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, pas një publikimi të një artikulli nga një shtëpi botuese franceze, që Tahiri ka thënë të jetë bërë me pëlqimin e kësaj ministrie. Sipas Tahirit, Qeveria në këtë artikull e ka promovuar Kosovën si vend ku kanë lindur manastiret e kishës ortodokse serbe.

“Qeveria e Kosovës ka promovuar Kosovën si vend ku kanë lindur manastiret madhështore të kishës ortodokse serbe. Me promovimin e një artikulli të tillë nuk e di nëse ka më tepër se çfarë të thotë më Vuçiqi, Jeremiqi e Daqiqi”, ka thënë Tahiri.

Por, ndaj kësaj deklarate të Tahirit ka reaguar MINT duke e quajtur shpifje. Në komunikatën e lëshuar nga kjo Ministri thuhet se që nga viti 2016, MINT-KIESA (Agjencia për Investime për Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë) ka bashkëpunim me shtëpinë botuese “Petit Fute”, për publikim të broshurave për atraksionet turistike në Kosovë, të përshtatura për turistët francezë. Në MINT kanë theksuar se në gusht të këtij viti kësaj shtëpie botuese i është dërguar dokumenti informues për potencialet e Republikës së Kosovës për t’u publikuar në katalogun e saj. Teksti që është dërguar, Ministria ka thënë se nuk përmban asnjë nga shkrimet që ka publikuar kjo shtëpi botuese. Madje, ky version i publikuar, sipas ministrisë, ishte refuzuar nga KIESA, e cila i kishte dërguar artikullin e korrigjuar ku i kishte kërkuar “Petit Fute” që të mos bëjë botime pa aprovim të saj. Megjithëkëtë, Shtëpia Botuese “Petit Fute” e ka publikuar artikullin e saj dhe jo tekstin origjinal të dërguar nga KIESA, gjë për të cilën MINT ka theksuar se do t’i ndjekë rrugët ligjore.

“Në këtë rrethanë të krijuar në dëm të historisë sonë të lashtë kombëtare, me publikimin e Shtëpisë Botuese ‘Petit Fute’ të paaprovuar dhe papaguar nga MINT- KIESA dhe duke shtrembëruar tërësisht historinë tonë kombëtare, përkundër kërkesës sonë për korrigjime dhe premtimit nga Shtëpia Botuese ‘Petit Fute’, për editim dhe dërgim për aprovim të tekstit nga KIESA, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do t’i ndjekë rrugët ligjore për ta adresuar dëmin e krijuar”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.