Arbëri

Greva në gjyq

Për moszhvillimin e procesit mësimor për një muaj, prindër të nxënësve kanë paditur SBASHK-un dhe BSPK-në në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Padinë e kanë bërë për cenim të të drejtave kushtetuese dhe të konventave ndërkombëtare për arsimimin e fëmijëve. Me të kërkojnë që Gjykata të vendosë masën e sigurisë, në mënyrë që t’ua pamundësojë sindikalistëve të rikthehen në grevë

Për vendimin e 25 gushti për të hyrë në grevë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), si dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) do të përballen me gjykatën.

Të martën, 16 prindër kanë paditur këto dy sindikata në Gjykatën Themelore në Prishtinë për cenim të drejtave kushtetuese të fëmijëve për shkollim.

Betim Sopi, prind i tre fëmijëve që ndjekin mësimin në arsimin parauniversitar, ka thënë se është kërkuar nga Gjykata që të vendosë masën e sigurisë në mënyrë që t’ua pamundësojë sindikalistëve të rikthehen në grevë.

“Greva të ndalohet, të evitohet, të heqin dorë, për shkak se ne e dimë se shkollat kanë filluar, por SBASHK-u nuk ka hequr dorë nga greva, por ka thënë vetëm se i pezullojnë për një kohë të caktuar. Kjo na bën me dije se rreziku i bllokimit të shkollave nuk mund të vazhdojë kështu”, ka thënë Sopi.

Kërkesa për caktimin e masës së sigurisë është si rrjedhojë e vendimit që sindikatat morën që të pezullohet greva deri në janar të vitit 2023. Sindikatat kanë kërkuar që gjatë këtyre tre muajve të zhvillojnë dialog social me Qeverinë për të gjetur një gjuhë të përbashkët për realizimin e kërkesave të tyre.

Për të caktuar masën e sigurisë, sipas juristit Anton Nrecaj, do të marrë kohë maksimum tre muaj. Por ai beson se vendimi do të merret para vitit të ri.

“Gjyqtari është i obliguar që lëndën ta trajtojë menjëherë në proces të shpejtë, se duhet ta bëjë”, ka thënë ai. “Për shkak të interesit publik të çështjes së grevës që jemi ballafaquar së fundmi, mund ta trajtojë brenda 1 muaji kërkesën për masën e sigurisë”, ka thënë Nrecaj.

Pjesë e padisë është edhe kërkesa për anulimin e vendimit të Sindikatës për mosmbajtjen e procesit mësimor për një muaj.

Nrecaj ka thënë se shqyrtimi i padisë për anulimin e vendimit merr kohë deri një vit.

“Pjesa tjetër e shqyrtimit të padisë për anulimin e vendimit për pezullimin të grevës është proces që duhet të shkojë në procedurë standarde. Fatkeqësisht këto raste duhet të presin minimum një vit”, ka thënë ai.

Prindërit pretendojnë se janë shkelur konventat ndërkombëtare për fëmijë, duke i mbajtur nxënësit larg bankave shkollore.

Ata bazohen në nenin 3 të Konventës për të Drejtën e Fëmijës, ku thuhet se “shtetet njohin të drejtën e fëmijës për arsimim dhe me qëllim që të arrihet kjo e drejtë, hap pas hapi dhe mbi bazën e mundësive të barabarta në mënyrë të veçantë që ata t’ua sigurojnë të gjithëve arsimimin”.

Ndërkaq në protokollin shtesë të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore në nenin 2, thuhet se “askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për arsimim. Shteti në ushtrimin e funksioneve që merr përsipër në fushën e edukimit dhe të arsimit, respekton të drejtën e prindërve për të siguruar këtë edukim”.

Në padi, prindërit janë bazuar edhe në nenin 47 të Kushtetutës së Kosovës, ku theksohet se “secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor pa pagesë. Shkollimi i detyrueshëm rregullohen me ligj dhe financohet nga fondet publike”.

Prindërit pretendojnë se greva është shpallur e jashtëligjshme. Ata bazohen në nenin 7 të Ligjit të Pagave, i cili përcakton arsyet se pse të punësuarit mund të hyjnë në grevë. Aty nuk përfshihet kërkesa për rritjen e pagës ashtu siç kërkojnë sindikalistët.

Në lidhje me padinë, kryesindikalisti i mësimdhënësve, Rrahaman Jasharaj, dhe kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, të martën nuk kanë folur.

Por kreu i SBASHK-ut gjatë kohës së grevës disa herë ishte arsyetuar se kjo është forma e vetme e tyre për t’i bërë presion ekzekutivit që mësimdhënësve t’ua plotësojë kërkesat.

Një muaj e një javë mësimdhënësit qëndruan në grevë të përgjithshme me kërkesën për shtesë mbi pagë në vlerën e 100 eurove, derisa të miratohet dhe të hyjë në fuqi Ligji i Pagave.

Më 1 tetor ata vendosën të pezullojnë grevën deri në janar të vitit 2023. Sipas të dhënave të SBASHK-ut, 54 për qind të mësimdhënësve votuan për pezullim të grevës, ndërkaq 45 për qind ishin për vazhdimin e saj.

Qeveria deri më tani u ka ofruar 50 euro në muaj si shtesë mbi pagë, deri në dhjetor.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se në Projektligjin e ri për paga punëtorët e arsimit janë trajtuar dinjitetshëm dhe do të kenë koeficientin më të lartë se që e kanë pasur ndonjëherë.

Sipas Projektligjit, për mësimdhënësit në shkollat fillore të cilët marrin pagë mujore 470 euro, me vlerë monetare të koeficientit 120, ajo rritet në 672 euro. Ndërkaq për ata të shkollës së mesme të lartë, paga parashihet të rritet në 696 euro.