Arbëri

Osmani nuk tërhiqet, vazhdojnë zvarritjet për dekretimin ose jo të kryeprokurorit të ri

Janë bërë gjashtë muaj prej kur Prokuroria e Shtetit po funksionon me ushtrues detyre në krye të saj, ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar zvarritje të mëtejmë të procesit.

Në një takim të martën me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, Osmani ka përsëritur qëndrimin që do të pritet deri në përfundim të të gjitha proceseve gjyqësore në gjykatat e vendit para se të marrë vendim.

“Një qasje e këtillë, theksoi Presidentja, është e domosdoshme për ta ruajtur sigurinë juridike dhe për ta siguruar shfrytëzimin e papenguar dhe efektiv të mjeteve juridike nga kundërkadidatët, si dhe për ta garantuar besimin qytetar në proces pas vërejtjeve nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Emri i Blerim Isufajt është propozimi i KPK-së që ka shkuar te presidentja për dekretim. Gjykata Kushtetuese tashmë ka marrë vendim që të mos i trajtojë ankesat e dy prej kundër kandidatëve të Isufajt, të cilët ishin ankuar për shkelje të procedurave nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës. E njëri nga ta pas vendimit të Kushtetueses, e ka paditur KPK-në në departamentin administrativ. Shkalla e parë ka vendosur që padia e tij është e pasafatshme. Osmani ka dhënë shenja që do t’i presë edhe ankesat e këtij kundërkandidati në të gjitha shkallët e gjykatës para vendimit për dekretin.

Në prillin e këtij viti, Aleksandër Lumezi e ka përfunduar mandatin si kryeprokuror i shtetit.

Pas tij, KPK-ja e ka përzgjedhur Blerim Isufajn si pasues, por që procesi është shoqëruar nga kritika të shumta nga organizata vendore e ndërkombëtare.

Në takimin e së martës, Osmani me Kelmendin e Malokun ka diskutuar edhe “për nevojën e domosdoshme dhe urgjente të intensifikimit të punës së Prokurorisë dhe bashkërendimit të institucioneve të drejtësisë në parandalimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin adekuat të kryesve të veprave penale të dhunimeve, ngacmimeve seksuale dhe veprave penale kundër integritetit seksual”.

Osmani, sipas komunikatës, ka kërkuar që të merren hapat e nevojshëm për ta ashpërsuar këtë luftë dhe për të ngritur kapacitetet e nevojshme që të mundësohet një gjë e tillë. Ajo u zotua për përkrahjen e të gjitha institucioneve të drejtësisë dhe atyre ligjzbatuese në ndërmarrjen e këtyre hapave.

Edhe sa i përket nismës për vetting, Osmani ka ofruar përkrahje. Ajo ka thënë se reforma në drejtësi është rruga më e nevojshme dhe e duhur në drejtim të garantimit të një sistemi gjyqësor e prokurorial me integritet dhe profesionalizëm.

“Sipas Presidentes Osmani, integriteti dhe profesionalizmi i prokurorëve dhe gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë është shtyllë kryesore e sundimit të ligjit në vendin tonë. Në këtë drejtim, veçanërisht tani pas marrjes së dritës së gjelbër nga Komisioni i Venecias, Presidentja tha se vetingu është ndër proceset reformuese më të rëndësishme në vendin tonë në drejtim të ndërtimit të një sistemi kredibil prokurorial e gjyqësor dhe kthimit të besimit të qytetarëve në drejtësi. Në këtë kontekst, Presidentja u bëri thirrje atyre për të bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse në zhvillimin e këtij procesi të dobishëm si për prokurorinë ashtu edhe për qytetarët e vendit tonë, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në grupet punuese duke ofruar sugjerimet e tyre konkrete për avancimin e këtij procesi”, thuhet në komunikatë.