Arbëri

Avokati i Popullit për pagat: Qeveria të reflektojë

Avokati i Popullit ka rikujtuar përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të qeverisë dhe detyrimin pozitiv që ka shteti për respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ky institucion ka thënë se mosekzekutimi i pagave për mësimdhënësit do ta rrezikonte mirëqenien sociale për punonjësit e arsimit dhe familjen e tyre.

Sipas Avokatit të Popullit, mosekzekutimi i pagave nuk i kontribuon dialogut social dhe përmirësimit të situatës së krijuar.

“Avokati i Popullit rikujton përgjegjësinë kushtetuese e ligjore të qeverisë dhe detyrimin pozitiv që ka shteti për respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, për sigurimin e paqes sociale në vend si dhe për domosdoshmërinë që autoritetet ta garantojnë përdorimin e standardeve të njëjta sa i përket grevës, për situata të ngjashme, duke i trajtuar të gjithë në mënyrë të barabartë”, thuhet në reagimin e këtij institucioni.

Sipas Avokatit të Popullit, gjatë kësaj kohe është e rëndësishme që qeveria të kontribuojë në zbutjen e krizës së rëndë të krijuar së fundmi.

“Prandaj Avokati i Popullit edhe publikisht përmes kësaj komunikate i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të reflektojë dhe ta gjejë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë”, thuhet më tej në njoftim.

Që nga 25 gushti deri më 1 tetor, punëtorët e arsimit dhe sektorëve tjerë publikë ishin në grevë në kërkim të 100 eurove shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të ligjit për paga. Qeveria ua ofroi nga 50 në muaj sivjet, në kuadër të pakos për përballje të inflacionit. Grevistët pezulluan veprimin sindikal, pa marrëveshje me Qeverinë, deri në janar. Qeveria ka bërë të ditur se punëtorët që ishin në grevë nuk do të paguhen. Pagat për shtator s’kanë dalë ende.