Arbëri

AAK: VV-ja i ka bërë njerëzit të besojnë që Haradinaj i ka zbrazur rezervat shtetërore

Aleanca per Ardhmeri te Kosoves

Zëdhënësi i AAK-së, Lulzim Blakaj, i është përgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje e cila i quajti opozitën e sindikatat, shkatërrues të shtetit.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “prodhimi i fundit i agjitacionit dhe propagandës së VV-së, është shpërfaqje e metodave manipulative të tyre, metoda të përdorura gjatë tërë ekzistencës së tyre të fëlliqur në politikën kosovare”.

Ai ka thënë se LVV-ja po përhapë gënjeshtra të orkestruara.

“Përhapja e dezinformatave të tmerrshme për kundërshtarët (përhapje konstante, derisa dezinformata të shndërrohet në të vërtetë)”, ka shkruar ai.

Sipas tij, falë këtyre metodave manipuluese, sot ka njerëz në Kosovë që mendojnë se ish-kryeminsitri Ramush Haradinaj ka zbrazur rezervat shtetërore, dhe se e ka shitur Çakorrin e Zhlebin. Ai ka thënë se Qeveria nuk ka qasje në rezerva shtetërore por as demarkimi nuk është temë e mbyllur.

“Mbjellja e gënjeshtrës në mënyrë të orkestruar, derisa ajo të bëhet ‘e vërtetë’ në mendjen e masave. Për të arritur deri te kjo, VV mobilizon numër të madh të njerëzve, armatën fashiste të mediave sociale. Ata shpërndajnë gënjeshtra, apo gjysmë të vërteta, dhe të vërteta të shtrembëruara, në mënyrë që të diskreditojnë kundërshtarin. Haradinaj ka qenë kryeministër vetëm 2 vjet, e jo 20. Haradinaj për 8 vjet radhazi, mbrojti Luftën Çlirimtare në Gjykatën e Hagës. Ai nuk gëzoi benificione siç pretendojnë VV-ja, por ishte në ballë të protestave opozitare, për tema të interesit nacional. Haradinaj, themeloi Ushtrinë e Kosovës dhe i vendosi tarifën 100% Serbisë. Ndërkohë VV-ja hoqi taksën, shndërroi Serbinë kampione në tregun kosovar, dhe realizoi vetëm 5% të buxhetit të paraparë për Ushtrinë”, ka shkruar në Facebook të hënën Blakaj.

Ai ka thënë se sot në fuqi Kosova e ka qeverinë më të dështuar deri sot, qeveri që sipas tij, nuk ka realizuar as 5% të planit të punës e as 3% të investimeve kapitale.

“Kemi në pushtet, qeverinë e gënjeshtrës dhe mashtrimit, qeverisë së degradimit ekonomik, qeverinë e krizës energjetike dhe ngritjes enorme të çmimeve. Kemi në pushtet qeverinë që punësoi familjarët, kapi bordet, korrupsionit i dha model e formë të re, e që Kosovën po provon ta kthejë në sistem njëpartiak, pasi që ka nën kontroll të plotë edhe Presidencën, e ka tendenca për kontroll të gjyqësorit dhe mediave”, ka shkruar ai.