Arbëri

Basha takon Mogherinin: Pa qeveri teknike s’ka kthim në Kuvend

Ndryshe nga sa ishte paralajmëruar, shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini është takuar edhe me kryetarin e PD, Lulzim Basha.

Pavarësisht apeleve të mëhershme të Përfaqësueses së Lartë, në përfundim të takimit Basha ka deklaruar për mediat se opozita nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për qeveri teknike.

“Të plotësohen kushtet për qeveri teknike. Vetëm një qeveri teknike mund t'i japë vendit zgjedhje të lira”, ka thënë Basha.

Ai ka përsëritur shqetësimin e tij për ndikimin e parave të narkotikëve tek procesi elektoral.

“Paratë e drogës kërcënojnë zgjedhjet në Shqipëri. Pa arritur një pakt kombëtar për zgjedhje të lira nuk ka kthim në Kuvend”, ka thënë Basha, transmeton TCH.

Basha shoqërohej në këtë takim nga deputetët Aldo Bumçi, Jorida Tabaku dhe kryetari i grupit parlamentar Edi Paloka.

“Kauza jonë ka gjithmonë e më shumë mbështetje”, ka shtuar kreu i opozitës në prononcimin për mediat.