Arbëri

Protesta studentore e profesor Statovci – sinonime të luftës për liri

Krerët e institucioneve e të partive politike kanë kujtuar protestën studentore të 1 tetorit të 1997-s. Homazhe janë bërë te varri profesor Ejup Statovcit, rektor i Universitetit të Prishtinës në atë kohë. Protesta është cilësuar si paralajmërim për lirinë e pavarësinë e Kosovës

Në çerekshekullin e protestës studentore, jehona e saj mbetet e zëshme edhe sot, si ngjarje e kthesave të mëdha historike në vend, paralajmërim për pavarësinë e Kosovës. Në përvjetorin e protestës së organizuar nga Lëvizja Studentore për ta kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia e me të cilën kërkohej kthimi i studentëve në Universitet, u përkujtuan studentët e rektori Ejup Statovci.

Krerët e institucioneve kanë çmuar lart rezistencën e studentëve, derisa bënë homazhe edhe te varri i profesor Statovcit.

Kryeministri Albin Kurti, profesor Statovcin e ka vlerësuar si “figurë të jashtëzakonshme në kohën e duhur”.

“Ato dekadat e jetës së tij ia kanë vlejtur fort jo vetëm për të e për familjen e tij, por për Universitetin, për Kosovën, për studentët dhe për kombin shqiptar. Ai ishte edhe trim edhe i urtë, edhe institucionalist edhe kryengritës, edhe akademik edhe intelektual, figurë e jashtëzakonshme në kohën e duhur që si askush tjetër para tij e pas tij ishte gjithmonë bashkë me studentët dhe në ballë të ndryshimeve të domosdoshme, demokratike e kombëtare”, ka thënë kryeministri Kurti.

Derisa ka ndarë momente të ditës së protestës, bashkëshortja e ish-rektorit, profesoresha Drita Halimi-Statovci, ka thënë se profesori i kishte thënë se do t’i mbrojë studentët.

“Ai jo që dikush thotë u bashkëngjit, punoj, u pajtua. Unë e them se edhe pa të, protestat do të ishin ndryshe, e them se me të studentët kanë qenë ndryshe, sepse ai ditën që ka dalë në demonstrata më tha: ‘Unë jam aty, e di ku jam, unë jo që dua t’i përkrah, por do t’i mbroj studentët”, ka kujtuar ajo.

Sinonim të lirisë e pavarësisë së Kosovës, e ka quajtur profesor Statovcin, Bujar Dugolli, i cili në atë kohë së bashku me rektorin u printe protestave.

“Dhimbja edhe për mungesën e tij është e madhe jo vetëm te familjarët, por të gjithë ne që punuam së bashku, e nderojmë dhe e kujtojmë veprën e tij në shërbim të popullit, në shërbim të Universitetit të Prishtinës”, ka thënë Dugolli, pas homazheve.

Protestën e studentëve e ngriti lart me vlerësime edhe presidentja Vjosa Osmani.

Sipas Osmanit, 25 vjet më parë, studentët së bashku me rektorin Ejup Statovci “nisën rezistencën kundër padrejtësisë, refuzimin kundrejt dhunës dhe qëndresën kundër tiranisë.

“Protesta e 1 tetorit të vitit 1997 ishte paralajmërim i hershëm për lirinë. Zëri protestues i studentëve ishte thirrje kundër diskriminimit të shqiptarëve nga regjimi gjenocidal serb jo vetëm në fushën e arsimit. Protesta e 1 tetorit të vitit 1997 është simbolika më e fuqishme në luftën tonë për liri, referencë përmbajtjesore për kauzën tonë kombëtare dhe ngjarja më e shndritshme në historinë tonë më të re”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Zyra e Presidentes.

Për protesta e 1 tetorit të ‘97-s, Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka thënë se është shndërruar në protestë gjithëpopullore, e cila ka lëkundur themelet e Jugosllavisë.

“Ngritja e mijëra qytetarëve atë ditë, dërgoi sinjalin e qartë tek secili se liria po zinte vend në zemrën e çdo atdhetari, kundër çdo denigrimi që i bëhej popullit të Kosovës. Këmbana që zgjoi vetëdijen liridashëse edhe në Prishtinë me 1 tetor, bëri që shumë studentë e studente të kapnin armët dhe t’i bashkoheshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – në shërbim të idealit të çlirimit”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Protesta studentore, mes tjerash, kërkonte kthimin e studentëve në institucionet universitare, nga të cilat ishin dëbuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, në fillim të viteve ‘90. Përpos masave të dhunshme, regjimi i asaj kohe dëboi studentë dhe profesorë nga universiteti derisa imponoi edhe plan-program mësimor serb. Për t’i shpërndarë protestuesit, policia serbe përdori dhunë ndaj studentëve dhe profesorëve.