Arbëri

Këshilli i Prindërve: Anëtarët e SBASHK-ut ta pyesin njëri-tjetrin se a ia ka vlejtur greva

Descriptive Text

Këshilli i Prindërve i Kosovës, pak orë pasi sindikatat në vend njoftuan për pezullim të grevës deri në janar, ka thënë se tash anëtarët e Sindikatës së Arsimit duhet të pyesin njëri-tjetrin se a ia ka vlejtur greva për pesë javë.

Në një shkrim në Facebook, Këshilli i Prindërve ka thënë se më 31 gusht në një takim me SBASHK-un kishte pasur dy kërkesa, që festa e 1 Shtatorit mos t’u prishet fëmijëve dhe që të mos hyhet në grevë të plotë e pa afat. Megjithatë, sipas këtij njoftimi të dyja kërkesat ishin refuzuar.

Pasi u vendos për pezullim grevës, Këshilli i Prindërve u është drejtuar grevistëve duke iu thënë të pyesin njëri-tjetrin se a ndihen krenarë.

“E sot, pas pesë javësh greve, drejtuesit e SBASHK-ut, por edhe anëtarët e sindikatës, e kanë për përgjegjësi, së paku njerëzore, ta pyesin vetën e njëri-tjetrin: a ia ka vlejtur dhe a mund të ndjehen krenarë me grevën?” thuhet në reagim të Këshillit të Prindërve.

Të shtunën, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës njoftoi për pezullim të grevës.