Arbëri

MASHTI: Nuk dihet nëse mësimdhënësit do t’i marrin pagat e shtatorit

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Edona Maloku-Bërdyna, deklaroi se ende nuk dihet nëse mësimdhënësit do t’i marrin pagat e shtatorit, pasi siç tha ajo, ky vendim që i takon Ministrisë së Financave, do të merret nesër.

Ajo deklaroi në Interaktiv të KTV-së të enjten, se nga terreni ka informacione që listat nga drejtoritë komunale nuk janë dorëzuar të plota dhe se pritet të bëhet verifikimi i mësimdhënësve që janë pjesë e grevës së përgjithshme.

“Për sa i përket asaj se çka do të ndodhë tani, pritet që vendimi për pagat të merret nesër nga Ministria e Financave. Ne nga terreni kemi informata se listat nuk janë dorëzuar të plota, se nuk janë dorëzuar korrekte nga drejtoritë komunale të arsimit, pra jo plotësisht të azhurnuara. Sigurisht kolegët tanë në proces të verifikimit do të shohin se si qëndron kjo. Nuk ka ndonjë konfirmim se a do t’i marrin pagat e shtatorit”, deklaroi Maloku, duke shtuar se pritet të respektohet legjislacioni në fuqi për këtë çështje.

Sipas saj, Kosova po kalon periudhë të rëndë me grevën në arsim, e humbësit më të mëdhenj sipas saj janë nxënësit.

“Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje, jo vetëm publike por edhe në shkolla dhe në terren. Kemi vizituar shkolla të ndryshme, kemi biseduar me stafin dhe nxënësit, me të vetmin qellim që të shohim për nga afër se si po e kalojnë këtë grevë”, tha ajo.

Zëvendësministrja tha se reagimi i Këshillit të Prindërve se nëse vazhdohet me grevë do të kërkojnë çregjistrimin e nxënësve, tregon se ka pezmatim mes prindërve.

“Prindërit, jo vetëm që kanë të drejtën ta shprehin pezmin, por janë të rëndësishëm në ngritjen e zërit të fëmijëve për arsim. Është gjëja kryesore, e drejta për arsim e fëmijëve është ajo që po cenohet. Nuk duhet të cenohet apo preket nga asnjë lloj kërkese të sindikatës”, shtoi ajo.