Arbëri

Meta – Mogherini: Shqipëria konstruktive i shërben stabilitetit rajonal

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta priti sot Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini.

Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian në avancimin e Shqipërisë drejt hapjes së bisedimeve për anëtarësim dhe në veçanti për asistencën e dhënë në kuadër të reformave kyçe.

Në këtë drejtim u theksua rëndësia e avancimit pa vonesa me zbatimin e reformimit të sistemit të drejtësisë në frymën e bashkëpunimit politik e institucional dhe në respekt të plotë të Kushtetutës së miratuar me konsensus.

Meta u shpreh se një reformë e bazuar në Kushtetutë e rrit besueshmërinë e procesit dhe e përshpejton zbatimin më cilësor të saj, me qëllim që Shqipëria të ketë mundësi ta luftojë më mirë korrupsionin, krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme dhe për të krijuar një klime më të favorshme për investimet e huaja.

Gjatë takimit, Meta dhe Mogherini diskutuan gjithashtu edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon, duke ndarë bindjen e përbashkët se një Shqipëri e stabilizuar dhe konstruktive i shërben më mirë stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal