Arbëri

Kurti: Masakra e Abrisë, një nga krimet më të tmerrshme që Serbia ka kryer mbi shqiptarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 24-vjetorin e masakrës së Abrisë, të hënën, ka thënë se ajo është ndër më çnjerëzoret dhe më të tmerrshmet që Serbia ka kryer mbi shqiptarët e Kosovës.

Ai ka kujtuar se mjafton të shihen moshat e viktimave të masakrës së Abrisë, nga më i moshuari Fazli Deliu 94 vjeç deri te më e vogla Diturije Deliu 6 javëshe, për të kuptuar se sa çnjerëzore ishte kjo masakër që kryen forcat serbe mbi këta 23 civilë shqiptarë të pafajshëm të familjes Deliu.

“E dëshmuar edhe nga media ndërkombëtare, masakra e Abrisë është një nga krimet më të tmerrshme të gjenocidit që Serbia ka kryer mbi shqiptarët e Kosovës. Fotografia e Valmir Deliut djaloshit 2-vjeçar të masakruar, që atë kohë qe botuar nga disa media botërore, sot mund të censurohet nga mediat sociale, aq pamje të rëndë që përmban. Edhe e vetmja e mbijetuar e asaj dite, foshnja 6-javëshe Diturije Deliu që për orë të tëra kishte mbetur e mbytur në gjakun e nënës së saj, do të vdiste dy muaj më pas, më 19 nëntor 1998”, ka shkruar Kurti të hënën në Facebook.

Forcat serbe kryen masakrën në fshatin Abri më 26 shtator 1998, duke ekzekutuar 23 anëtarë të familjes Deliu.