Arbëri

Peticioni i qytetarëve, Kuvendi kërkon mendimin e Qeverisë për tërheqjen nga Trusti

Kryesia e Kuvendit ka vendosur ta dërgojë në Qeveri për mendim projektligjin për plotësim/ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, që mundëson tërheqjen deri në 30 për qind nga Trusti, bazuar në peticionin e nënshkruar nga mbi 20 mijë qytetarë.

Në mbledhjen e së enjtes është vendosur që të dërgohet në Qeveri për mendim edhe projektligji për pensionet e zyrtarëve policorë.

Kuvendi në qershor i pati thënë jo tërheqjes nga Trusti. Menjëherë pati nisur një peticion. Më 15 korrik peticioni me 21 mijë nënshkrime u dorëzua në Kuvend. Nuk qe treguar se kur do të nisë shqyrtimi i tij.

Qeveria atë kohë pati dalë kundër idesë për tërheqjen nga Trusti.

Tërheqja deri në 30 për qind e mjeteve nga Trusti u rikthyer si temë në Kuvendin e Kosovës, javën e kaluar, pak muaj pasi Kuvendi refuzoi iniciativën e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

Ka qenë kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, që të enjten e shkuar, në seancën e parë të sesionit vjeshtor të Kuvendit, e ka përmendur tërheqjen nga Trusti si një nga pesë masat që i propozon PDK-ja për dalje nga kriza ekonomike. Pos kësaj, ai ka thënë se për t’u ndihmuar qytetarët që të përballojnë inflacionin duhet të ketë lirim nga TVSH-ja të produkteve esenciale, lirim të akcizës në produktet e naftës, heqje të TVSH-së nga faturat e energjisë elektrike, subvencionim të faturave të rrymës dhe rritje pagash deri në nivelin e normës së inflacionit.