Arbëri

Kurti: Të qenët pro paqes kërkon të jemi edhe antifashistë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se derisa po shënohet Dita Ndërkombëtare e Paqes, në Ukrainë po vajtohet për shkak të luftës së nisur nga Rusia.

Ai shkroi në Twitter të mërkurën, se pushtimi i paligjshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, i kujton ditët më të errëta të agresionit fashist në Evropën e shekullit të 20-të.

“Pushtimi i paligjshëm i Putinit në Ukrainë, duke kujtuar ditët më të errëta të agresionit fashist në Evropën e shekullit të 20-të, është kujtesë se të jemi pro paqes, kërkon që të jemi edhe antifashist”, shkroi Kurti.

Ndërsa, në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti afatgjatë në rajon, duhet të jenë shkak i zhvillimit të drejtësisë dhe demokracisë, që sipas tij, “duhet ndërtuar mes fqinjësive të mira”.

“Nuk ka prosperitet të popujve pa paqe. Nuk ka zhvillim e barazi të shoqërisë pa drejtësi. Sot kur shënohet Dita Ndërkombëtare e Paqes është e nevojshme më shumë së kurrë që të solidarizohemi me popuj të cilëve u rrezikohet shtetësia, sovraniteti e paqja. Sot nuk mund të flasim për paqen dhe drejtësinë shoqërore pa dënuar agresionin e padrejtë dhe të pa arsyetuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës”, tha Sveçla.

Ai theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sundimi i ligjit dhe ballafaqimi me të kaluarën, duhet të jenë parakusht për ndërtim të marrëdhënieve të mira.