Arbëri

Sindikata e Administratës nuk e di numrin e grevistëve

Greva e përgjithshme në vend ka hyrë në javën e katërt, e në këtë grevë përveç mësimdhënësve janë edhe punonjësit e administratës publike. Megjithatë, në Sindikatën e Pavarur të Administratës të Kosovës, thonë se nuk e dinë numrin e punëtorëve të administratës publike në nivel qendror dhe lokal që janë në grevë.

Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës, ka deklaruar për Ksp, se greva është duke vazhduar.

Gashi është shprehur se greva është pasojë e mosdëgjimit të kërkesave nga Qeveria për hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejt të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e ligjit mbi skemat pensionale dhe 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Sipas tij, nuk dihet numri i institucioneve lokale dhe atyre qendrore që kanë hyrë në grevë.

“Numrin nuk e dimë për arsye se ju e dini që greva është vullnet i palëve, në këtë rast anëtarësisë së dy palëve dhe të tjerëve që konsiderojnë se u janë shkel të drejtat dhe pajtohen me kërkesat që i ka ngritur BSPK-ja, në raport me të drejtën e punës, kushtet e punës dhe aspektin material në këtë kontest kur kërkojnë paga më të mira”, tha ai.

Ka thënë se në grevë nuk janë edhe institucionet që janë të privuara nga organizimi i grevës.

“Ka disa institucione, sipas ligjit të grevave janë të privuar nga organizimi i grevës, për arsye sepse ashtu e ka paraparë ligji dhe ne në këtë rast nuk kemi insistuar, siç janë policia, zjarrfikësit, shëndetësia, gardianët dhe të tjerët”, tha Gashi.

Gashi po ashtu tha se Bashkimi Sindikatave të Pavarura të Kosovës e ka bërë të ditur se është i gatshëm në çdo kohë për dialog me qeverinë.

“BSPK-ja me kohë ka bërë të qartë se është çdo kohë, çdo ditë e gatshme që të dialogojë dhe sa më shpejtë të gjejmë një zgjidhje e cila do të na nxirrte nga një situatë, të cilën as ne vet nuk e parapëlqejmë, por sido të jetë është masë, e cila e ka dhënë ligji”, tha ai.

Gashi është shprehur i shokuar në lidhje me rastin e ish-kryetarit të shoqatës sindikale në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Ai kërkon nga ministria ta kthejë atë në vendin e punës, pasi sipas tij, një veprim i tillë nga ana e kësaj ministrie bie ndesh kryekëput me ligjin e organizimit sindikal.

“Isha i shokuar, duke marrë parasysh që punëtori Agron Maloku, i cili ka qenë kryetar i shoqatës sindikale në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, pas fillimit të grevës është bërë një transferim pa vullnetin e tij nga kjo ministri dhe është dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë, dhe them se ky veprim është në kundërshtim komplet me ligjin mbi organizimin sindikal. Një veprim i tillë nga ana e kësaj ministrie bie ndesh kryekëput me ligjin e organizimit sindikal”, ka përfunduar Gashi. /ksp