Arbëri

Osmani niset për New York, merr pjesë në sesionin e Asamblesë së OKB-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar të hënën pasdite për në New York, ku në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Sipas komunikatës për media dërguar të hënën nga Zyra e Presidentes, bëhet e ditur se, gjatë vizitës në New York, Osmani, do të zhvillojë një sërë takimesh me krerë të delegacioneve të shteteve pjesëmarrëse në sesionin e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, zyrtarë të lartë amerikanë dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare.

“Osmani, gjithashtu do të ketë takim edhe me mërgatën shqiptare në Amerikë. Ndërkaq në Fordham University, Presidentja Osmani do ta mbajë një ligjëratë, në të cilën do të flasë për reformat në sistemin e drejtësisë, sundimin e ligjit, zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovë”, thuhet në njoftim.

Gjatë vizitës në New York, Osmani do të shoqërohet edhe nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Osmani u nis drejt SHBA-së nga Anglia, ku mori pjesë në funeralin e varrimit të mbretëreshës Elizabeth II.