Arbëri

SHSKUK-ja pagoi gati 1.5 milionë euro për aparaturën që nuk ka ku ta vendosë

Gati 1 milion e gjysmë euro ka shpenzuar Shërbimi Klinik Spitalor dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) për blerjen e një akseleratori - pajisje për në Klinikën e Onkologjisë.

Procedurat e blerjes së kësaj pajisjeje tashmë janë kryer, por Onkologjia nuk ka ku ta vendosë për shkak që kjo pajisje vendoset në bunker për shkak të rrezatimit që e ka.

Ajo shërben për rrezatim të sofistikuar të tumoreve.

Në SHSKUK kanë pranuar që tashmë aparati është siguruar.

“Kontrata për furnizim me akselerator është nënshkruar më datë 22.8.2022 dhe shuma është 1.444.444.00 €”, thuhet në përgjigje.

Ky institucion ka shpjeguar që një donator - “Tika” e Turqisë kishte planifikuar ndërtimin e bunkerit ku do të vendosej aparatura, por në momentin e fundit është tërhequr. Këtë projekt tani do ta marrë përsipër vetë, por nuk dihet së kur do të kryhet.

“Sa i përket bunkerit, ka pasur premtime nga organizata TIKA e Turqisë se do ta bëjë si donacion dhe në momentet e fundit është tërhequr. SHSKUK-ja do të shikojë mundësitë që të procedojë edhe me bunkerin”, thuhet në përgjigje.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë dhënë përgjigje të qartë nëse do të ndihmohet SHSKUK-ja për ndërtimin e bunkerit ku duhet të vendoset akseleratori.

“MSH-ja mbështet çdo investim të arsyeshëm që fuqizon më tej shërbimet e radioterapisë në Onkologji, ndërsa për iniciativë eventuale nga palë të tjera si donatorët për shembull, sigurisht që do t’ju informojë SHSKUK-ja”, thuhet tutje në përgjigje.

Përmes kësaj përgjigjeje Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar që aktualisht janë në përdorim 2 akceleratorë linearë, të cilët ofrojnë shërbime për rreth 90 pacientë në ditë, që marrin aty shërbime të radioterapisë.

Këto dy pajisje janë të vendosura në bunker, kështu quhen faktikisht hapësirat ku janë të vendosura akceleratorët, me qellim të mbrojtjes edhe të pacientëve, por edhe të personelit gjatë ofrimit dhe marrjes së shërbimit.

Në fillim të vitit 2021 QKUK-ja pati pranuar një akselerator. Situata e ngjashme ishte edhe aso kohe. Kjo aparaturë ishte kontraktuar e paguar tre vjet më herët, por SHSKUK-së iu deshën 3 vjet që ta bënte gati bunkerin.

Në Kosovë numri i pacientëve të diagnostikuar me sëmundje malinje është në rritje.