Arbëri

Prindërit kërkojnë ndërprerje të menjëhershme të grevës në arsim

Descriptive Text

Me brohoritjet “Kthena në shkollë” dhe “duam shkollë”, nxënësit në Pejë kërkuan të hënën, ndërprerjen e grevës në arsim dhe kthimin në bankat shkollore qysh të martën.

Përmes marshit nxënësit e prindërit kërkuan nga Qeveria dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit që të gjejnë gjuhë të përbashkët, pasi janë të shqetësuar për pasojat që do të sjellë greva në zhvillimin akademik të fëmijëve.

“Bëj apel që Qeveria dhe SBASHK-u sa më parë të marrin vendim dhe t’i nxjerrin fëmijët nga kjo fushëbetejë, e cila është mes dy palëve. Ne jemi që fëmijët të mos humbasin asnjë ditë mësimi, ne jemi që procesi mësimor të fillojë qysh nga dita e nesërme”, ka thwnw Arta Kollçaku-Gashi, kryetare e Këshillit të Prindërve në Komunën e Pejës.

“Fëmijët kanë mbetur të ngujuar, prindërit së bashku me ta kanë mbetur në një tunel ku nuk po vërehet asnjë dritë”, ka shtuar Hazir Tigani, kryetar i Këshillit të Prindërve në Rrafshin e Dukagjinit.

Pyetjeve të fëmijëve se pse nuk është duke u mbajtur procesi mësimor, prindërit vështirë po i gjejnë përgjigje.

“Nipi jem mbrëmë ka bërë pyetje si është e mundur që mësuesja mos të na mbajë mësimin për 100 euro, jam munduar që t’ia shpjegoj që nuk i ka fajet mësuesja”, ka thwnw Sabrie Hetemi, gjyshe.

“Qeveria të ndërmarrë sa më shpejt diçka për fëmijët se kanë mbetur shumë mbrapa”, ka shtuar Teuta Bërdynaj, prind.

E, qëndrimi larg bankave shkollore i ka mërzitur nxënësit. Ata thonë të jenë përmalluar për mësimdhënësit e tyre.

“Për mësuesin temë është mesazhi që sa më shpejt të fillojë mësimi, sepse mua më ka marrë malli për mësuesen”, u shpreh Mihane Bërdynaj, nxënëse e klasës V.

“Po, më ka marrë malli të shkoj në bankat shkollore dhe të vijoj mësimin”, shtoi Durim Gashi, nxënës i klasës VII.

Përveç në Pejë, prindërit janë mobilizuar edhe në Prishtinë.

Ata i kanë dërguar fëmijët e tyre në institucionet parashkollore duke u bërë thirrje edukatorëve që të nisin punën.

Vogëlushët me balona në duar pritën mësueset të hënën në mëngjes, por ato nuk erdhën.

Prindërit kanë vendosur që çdo ditë t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe e kopshte, ndërsa të enjten kanë paralajmëruar marsh para Qeverisë.

Këshilli Grevist i SBASHK-u u ka dhënë liri secilit mësimdhënës që të vendosë vetë nëse duan të nisin procesin mësimor.

Që nga 25 gushti mësimdhënësit janë në grevë të përgjithshme. Kërkesa kyç e tyre është ndarja e nga 100 eurove në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.