Arbëri

LDK-ja kërkon nga Qeveria të gjejë zgjidhje: Mësimi të nisë nesër

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që menjëherë të gjejë një zgjidhje me sindikatat, dhe që nxënësit t’i kthehen mësimit qysh të martën.

Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushaku, në një konferencë për media, ka thënë se Qeveria, me mosgatishmërinë për të dialoguar, është përgjegjëse për situatën në të cilën gjendet Kosova.

“Kjo Qeveri po sjell situata të komplikuara, po e komplikon jetën e përditshme të qytetarëve. Është përgjegjëse kryesore, pasi ka mundësi të ofrojë zgjidhje, por i duhet gatishmëri për të dëgjuar mësimdhënësit e të ketë ndjeshmëri për krizën ekonomike në të cilën po kalojnë qytetarët. Kërkojmë nga Qeveria që menjëherë të gjejë zgjidhje e të bëjë të mundur fillimin e procesit mësimor. T’ua mundësojë nxënësve e mësuesëve të mbajnë mësim”, ka thënë Lushaku.