Arbëri

Osmani nga Gjermania: Kosova, faktor stabiliteti në rajon e Evropë

Descriptive Text

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, po marrin pjesë në konferencën ndërkombëtare për demokracinë dhe lirinë e mediave, Kolokiumi M100 Sanssouci, në Potsdam të Gjermanisë.

Në këtë konferencë, ku i pranishëm është edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, u diskutua për strategjinë e sigurisë në Evropë, për çka Osmani tha se Kosova është faktor stabiliteti në rajon dhe Evropë, e gjithashtu edhe rrëfim suksesi në forcimin e lirisë së medias dhe demokracisë.

“Presidentja ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Republikës së Kosovës dhe të gjitha shteteve të tjera demokratike dhe bashkërenduese në BE dhe NATO, në mënyrë që Evropa të jetë edhe më e fortë dhe më e bashkuar karshi sfidave me të cilat përballet”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

Ajo ndër tjera, ka bërë thirrje për përkrahjen e Kosovës për anëtarësim në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe për urgjencën e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë.

Qëllimi i konferencës ndërkombëtare Kolokiumi M100 Sanssouci është bashkëbisedimi dhe ndërveprimi në mes përfaqësuesve nga politika, media dhe akademia nga e gjithë Evropa.