Arbëri

Mësimdhënësit në Gjakovë presin nxënësit, theksojnë se nuk kanë hequr dorë nga kërkesat

Me muzikë u pritën fatosat në shkollën fillore “Mustafa Bakija” në Gjakovë, të enjten, të cilët me pesëmbëdhjetë ditë vonesë e nisën ditën e parë të shkollës.

Aq sa nxënësit, ndërprerjes së grevës iu gëzuan edhe prindërit, pasi tashmë nuk kanë nevojë të bëjnë pyetje se kur do t’ia fillojë mësimi.

“Në momentin kur e kuptuam nga rrjetet sociale se mësimi fillon ka qenë me të vërtetë një moment jashtëzakonisht i lumtur për të dhe mezi ka pritur të zgjohet në mëngjes që të përgatitet dhe të vijë për herë të parë në banka shkollore", tha Jeta Lila-Delilaj, prind.

"Vazhdimisht ka pyetur kur fillon shkolla, e kishte me gëzim se ka pasur dëshirë shumë të madhe me fillua mësimin", shtoi Shpëtim Dyla, gjysh i një nxënësi të kësaj shkolle.

Megjithëse kanë vendosur të dalin para nxënësve, mësimdhënësit theksojnë se nuk kanë hequr dorë nga kërkesat e tyre.


"Mësimdhënësit e shkollës tonë në takimin e fundit që e kanë pasur, Këshilli i Mësimdhënësve ka vendosur që për hir të fëmijëve, për hir të dashurisë që kanë për ta, për engjëjt e vegjël, me vendosë që me fillua mësimi, por gjithsesi nuk ndalen kërkesat e tyre”, u shpreh Zana Kurtishi – Rudi, drejtoreshë në shkollën “Mustafa Bakija”.


Edhe dy mijë nxënës të tjerë iu rikthyen bankave shkollore, pasi gjatë ditës së enjte pesë institucione të arsimit parauniversitar hapën dyert për nxënësit, duke e çuar në gjashtë numrin e shkollave që kanë ndërprerë grevën në këtë komunë.

Mirëpo, kishte edhe mësimdhënës që në këto shkolla refuzuan t’i kthehen procesit mësimor.

“I kemi mbartë në ndërrimin e paradites edhe klasat e gjashta dhe të shtata për shkak se nuk e kanë filluar mësimin të gjithë mësimdhënësit, gjithsej kanë punuar 17 mësimdhënës, kryesisht mësimdhënësit kujdestarë që e kanë filluar punën i kanë ftuar nxënësit e tyre të ambientohen të flasin rreth planit mësimor dhe i kanë shpërndarë tekstet”, pohoi Berat Bejtullahu, drejtor në SHFMU “Yll Morina”.

Mësimdhënësit kanë vendosur ta ndërpresin grevën për shkak të zhgënjimit nga rezultati jopozitiv që solli takimi i së martës ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave.

Që nga 25 gushti punonjësit e sektorit publik, të cilëve u janë bashkuar edhe mësimdhënësit, janë në grevë të përgjithshme. Kërkesa kyç e sindikalistëve është ndarja e nga 100 eurove në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.