Arbëri

KOMF-i kërkon përfshirjen e fëmijëve dhe prindërve në dialogun për fillimin e mësimit

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), i cili përfaqëson 34 organizata joqeveritare, ka dërguar drejt Qeverisë kërkesën që në kuadër të dialogut për fillimin e mësimit të përfshihen të gjitha palët, sidomos fëmijët dhe prindërit, të cilët sipas tyre, janë të dëmtuar drejtpërdrejtë greva.

Sipas njoftimit, KOMF-i konsideron që qasja e bisedimeve vetëm nga dy palët (Qeveri dhe SBASHK) po anashkalon dhe harron interesin më të mirë të fëmijëve, të drejtën për arsim dhe dëmet që tashmë janë shkaktuar tek fëmijët.

“Një dialog me përfshirjen e fëmijëve, prindërve dhe të palëve të tjera, do të siguronte që interesi më i mirë i fëmijës të jetë konsideratë parësore përgjatë gjithë procesit. KOMF propozon që në këtë dialog të përbashkët, Qeveria të përfshijë akterët si më poshtë:

Përfaqësues nga Qeveria e Republikës se Kosovës

Përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit

Përfaqësues nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës

Përfaqësues nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës

Përfaqësues nga Këshilli i Prindërve të Kosovës

Përfaqësues nga Këshilli i Mësimdhënësve

Përfaqësues nga Kolegjiumi i Drejtorëve të Shkollave dhe Kopshteve

Institucioni i Avokatit te Popullit”, thuhet në njoftim.

KOMF-i tutje ka kërkuar që të thirret një takim urgjent me përfshirjen e të gjitha palëve.

Në fund, KOMF-i konsideron që ndërprerjet e vazhdueshme të procesit arsimor kanë dëmtuar dhe po dëmtojnë mësimnxënien e fëmijëve, do të lënë pasoja domethënëse në zhvillimin e fëmijëve dhe do të zbehin autoritetin e shkollës si institucion i dijes.

Greva në arsim ka filluar më 25 gusht.