Arbëri

Protestojnë profesorët në Shqipëri: Pa rritje pagash, s’nis viti akademik

Stafet akademike dhe administrative të universiteteve në Shqipëri kanë nisur protestat në kërkim të rritjes së pagave, por edhe për mbështetje më të madhe për kërkim shkencor.

Ata e kanë cilësuar protestën paralajmërim ndaj Qeverisë, që s’ka pasur asnjë reagim lidhur me peticionin e tyre. Paralajmërimi i tyre është që nëse s’merren masa për t’u plotësuar kërkesat, nuk do të ketë nisje të procesit mësimor më 17 tetor.

Stafet akademike dhe administrative kanë kërkuar rritje të pagave prej 30 për qind në tetor sivjet, dhe 20 për qind më pas në tetorin e vitit të ardhshëm.

Po ashtu është kërkuar rritje e financimeve për kërkime shkencore; që laburantët të paguhen për rrezikshmërinë në punë; të bëhet pagesë e vjetërsisë në punë; pagesë për orë shtesë dhe bërja publike e buxhetit të universiteteve dhe menaxhimit të parasë./Euronews Albania