Arbëri

Rriten pensionet në Shqipëri, përfitojnë 700 mijë persona

678 mijë pensionistë në të gjithë Shqipërinë do të përfitojnë nga indeksimi i pensioneve. Vendimi që është miratuar të mërkurën nga Qeveria e Shqipërisë, parashikon indeksimin në masën 6 për qind dhe shtrin efektet duke nisur nga pensioni i muajit shtator e në vijim.

“Nga ky vendim përfitojnë të gjitha kategoritë e pensionistëve. Me këtë indeksim të dytë prej 6 për qind ne e çojmë rritjen e pensioneve ne nivelin 9.5 për qind. Nga ky vendim përfitojnë rreth 678 mijë pensionistë, të cilët nga pensioni që do të marrin në tetor, pra ky vendim hynë në efekt që në pensionin e muajit shtator, do të kenë një rritje prej 9.5%”, tha Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe e Ekonomisë në Shqipëri.

Rritja e pagës minimale me 2 mijë lekë është një tjetër vendim i miratuar të mërkurën në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, një tjetër masë e marrë në paketën e dytë antikrizë. Me këtë rritje, e dyta për këtë vit, paga minimale në shkallë vendi shkon në 34 mijë lekë.

“Me vendimin e sotëm paga minimale do të hyjë në fuqi në nivelin 34 mijë lekë. Mbi 200 mijë të punësuar që përfitojnë nga ky vendim”, u shpreh Ibrahimaj.

Janë rreth 900 mijë qytetarë që përfitojnë nga rritja e pagës minimale dhe indeksimi i pensioneve, masa të ndërmarra në paketën e dytë sociale për të përballuar rritjen e çmimeve që ka goditur jo pak familjet në Shqipëri, veçanërisht ata me të ardhura të ulëta. /Tch