Arbëri

Kosova nuk jep detaje rreth kornizës së re për dialogun, Bislimi ankohet për pyetjet

Zevendeskryeministri i Kosoves, Besnik Bislimi

Institucionet në Kosovë kanë hezituar të ndajnë informacione lidhur me propozimin që u tha se është bërë për dialogun.

Të shtunën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se nga përfaqësuesit evropianë ka marrë propozim për kornizë të re të bisedimeve.

Se për çfarë bëhet fjalë nuk ka treguar të martën presidentja Vjosa Osmani, derisa ka folur për konstruktivitetin që ajo thotë se e ka Kosova në procesin e bisedimeve.

“Kosova edhe njëherë ua ka dëshmuar të gjithë partnerëve tanë brenda BE-së, por edhe jashtë në veçanti SHBA-së se ne jemi pala konstruktive në këtë proces. Palë që gjithnjë ka vazhduar të bëjë propozime të cilat sjellin më shumë paqe dhe stabilitet në rajonin tonë, por çdo zgjidhje duhet të jetë për paqe afatgjatë, për stabilitet afatgjatë sepse gjysmë zgjidhjet ose idetë të cilat nuk kontribuojnë drejt njohjes reciproke asnjëherë nuk do të mund të kontribuojnë as në paqen dhe stabilitetin afatgjatë”, tha Osmani.

Detajet e këtij propozimi ka thënë se nuk i di, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szunyog.

Ai ka ripërsëritur qëndrimin se pa dialog nuk mund të ketë përparim në rrugën drejt BE-së.

“Është shumë e qartë se procesi i integrimit në BE-së është i lidhur me dialogun dhe mënyra e vetme që Kosova të hyjë në BE-së është duke negociuar, arritur e ratifikuar marrëveshjen për normalizim të plotë të marrëdhënieve . Unë nuk kam informata më shumë se sa që është në media, kështu që ju duhet të pyesni mikun tim të mirë z. Lajçak në Bruksel për informata të mëtutjeshme”, tha Szunyog.

Për dallim nga Szunyog, pyetjeve për çështje të bisedimeve me Serbinë nuk pranoi t’u përgjigjej zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

“Për mua është pak mungesë respekti në qoftë se ka kaq pak interesim për të bërë pyetje për IPA, por po e kontaminoni me tema që s`kanë të bëjnë kurrgjë me arsyen që jemi mbledhë sot. Kur të ju thërrasim për të folur për dialog, ju përgjigjemi në cilëndo pyetje që mund të keni, por sot fokusi duhet të jetë te marrëveshja më e madhe financiare”, tha Bislimi.

Gazetari Augustin Palokaj thotë se për kornizën e re të përmendur nga presidenti i Serbisë, nuk kanë folur publikisht në BE.

Ai thotë se në Bruksel insistojnë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe se për prioritet kanë çështjen e targave.

“Të gjithë në BE pajtohen se ka ardhur koha që të zgjidhet çështja e normalizimit të raporteve, sepse në këtë mënyrë po të arrihej kjo marrëveshje finale atëherë do të ishte shumë më e lehtë të zgjidheshin të gjitha problemet e tjera. Mirëpo në këtë moment askush në BE publikisht nuk flet për ndonjë ide të re, por thonë se është koha vetëm për të dinamizuar procesin e dialogut për ta përshpejtuar atë dhe për ta arritur sa më shpejt marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, tha Palokaj.

Për kornizën e përmendur nga presidenti serb Vuçiq, televizioni ka drejtuar pyetje edhe në adresë të Zyrës së Kryeministrit e të Bashkimit Evropian, por nuk ka marrë përgjigje.