Arbëri

Kosova nën sulme kibernetike, Qeverisë i kërkohet t’i bllokojë IP-të e disa shteteve

Descriptive Text

Sulmet kibernetike ndaj institucioneve, që kanë gjeneruar paralizimin e shërbimeve për qytetarë, kanë vazhduar edhe të martën. Për orë të tëra, konsumatorët e telefonisë mobile, Vala, kanë mbetur pa shërbime të internetit, shkaku i një sulmi të tillë. Ekspertë të sigurisë kibernetike kanë kërkuar nga Qeveria që t’i bllokojë IP-të e disa shteteve, për t’i parandaluar sulmet

Konsumatorët e Telekomit të Kosovës të martën kanë mbetur pa shërbime të internetit në telefonin mobile, për shkak të një sulmi kibernetik në këtë ndërmarrje, që ka nisyr qysh në orën 8 të mëngjesit.

Halil Krasniqi, drejtor teknik në Telekom, ka thënë se dëmet janë parandaluar, por që për këtë arsye janë detyruar që t’i ndalin shërbimet e internetit për telefononinë mobile.

“Ekipet tona janë duke u ballafaquar me sulmet dhe i kanë identifikuar IP adresat që janë nga jashtë Kosovës. Fillimisht nga ora 9 është ndalë sulmi dhe kemi lëshuar shërbimet e internetit në mobil kryesisht, por sulmi ka vazhduar gjatë gjithë ditës dhe ende jemi duke u marrë me atë punë”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi nuk ka treguar se nga IP adresat e cilit shtet ka ndodhur sulmi, ani se burimi është identifikuar nga Telekomi.

Sulme të ngjashme ka pasur edhe javën e kaluar, kur në shënjestër ishin vënë platforma e-Kosova, faqja e Kryeministrisë, e ministrive dhe e Policisë së Kosovës.

Nga Qeveria është bërë e ditur se gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulme kibernetik të llojit DdoS, që kanë shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit përbrenda institucioneve qeveritare, si dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime.

“Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël. Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit. Të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre”, thuhet në njoftim të Qeverisë.

Kastriot Fetahaj, ekspert i sigurisë së softuerit, i ka sugjeruar Qeverisë që urgjentisht t’i bllokojë të gjitha IP-të nga vendet si Irani, Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut.

“Për shkak të kapaciteteve të limituara teknike, druajmë se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë vetë, të paktën jo pa mbështetje nga resurset e jashtme. Vlerësojmë se një veprim i tillë do ndalonte sulmet e tipit DDoS. Gjithashtu, nëse në ndërkohë ndonjëri nga serverët/kompjuterët është i infektuar, kjo do ta ndalonte kontrollin nga sulmuesi (nëse sulmuesi përdor këto IP për kontroll)”, ka thënë Fetahaj.

Fetahaj ka paralajmëruar po ashtu se nëse nga Qeveria nuk ndërmerr masa të menjëhershme për parandalimin e sulmeve, atëherë do të ketë intensitet dhe agrisivitet të tyre dhe do të mund të ketë edhe komprometim të të dhënave vitale të shtetit.