Arbëri

Murati: Marrëveshja e dy Gjermanive do ta defunksionalizonte Kosovën

Descriptive Text

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se nuk duhet pritur mrekulli nga takimet dhe nismat si Brdo-Brioni.

Sipas tij, e gjithë fryma e konkluzioneve ishte stabiliteti dhe paqja, kjo sipas tij, edhe për shkak të gjendjes aktuale me Rusinë dhe Ukrainën.

Murati ka thënë se shqiptarët nuk kanë zgjidhje tjetër përveç Bashkimit Evropian, duke shtuar se Serbia ka edhe Rusinë e shumë shpesh ka edhe Kinën.

“Dëgjova se në fillim të nëntorit do të ketë takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Ishte indikativë që në letrën e Macronit e Scholzit nuk u përmend njohja e ndërsjellë. E dimë që të dy liderët janë të interesuar që të ketë paqe e zgjidhje. Nga Kurti nuk dëgjuam se çfarë u fol. Vuçiqi tha se është ofruar një kornizë e re e bisedimeve. Këto ditë është ofruar edhe modeli i dy Gjermanive. Duhet ta kemi të qartë se kur flitet për këtë model, nuk flitet për njohje të dyanshme. Nëse imponohet një model i tillë, ku Serbia nuk e njeh Kosovën, por i hapë rrugë Kosovës për njohje në disa organizata, një marrëveshje e tillë mund të jetë një lloj status-quo e re”, ka thënë ai.

Sipas tij, një marrëveshje e tillë nuk do t’i zgjidhë problemet.

Ai ka thënë se kjo do të nënkuptonte defunksionalizmin e Kosovës, duke shtuar se do të krijonte rrethana të favorshme që indirekt ta destabilizojë Kosovën.

Murati ka thënë se në Kosovë dialogu është trajtuar si i imponuar nga jashtë dhe jo si mekanizëm për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.

Sipas tij, Kurti nuk ka ofruar asnjëherë alternativa për dialogun.