Arbëri

Tahiri për grevat: Jemi në gjendje të jashtëzakonshme, Ligji i pagave të miratohet

Descriptive Text

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, deklaroi se gjendja me grevën e përgjithshme në Kosovë është e jashtëzakonshme, e sipas tij, duhet shtyrë debati në Kuvendin e Kosovës rreth mosmbajtjes së procesit mësimor.

Tahiri tha të hënën se në këtë sesion vjeshtor të Kuvendit, AAK-ja i ka prioritet temat e arsimit, të energjisë elektrike, të krizës financiare në Kosovë dhe atë të dialogut mes Kosovës e Serbisë.

“Si grup kemi kërkuar një interpelancë për ministrin e Financave sepse gjendja në sektorin publik dhe atë privat është e rëndë .Tema e grevës është me rëndësi, gjendja është e jashtëzakonshme, e nuk mund të sillemi zakonshëm”, deklaroi Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai potencoi se Ligji i pagave duhet të miratohet sa më parë, në mënyrë që më 1 janar 2023, të futet në fuqi.

“Ngritja e vetëdijes dhe debatit është e rëndësisë së veçantë. Ekonomia dhe bizneset, janë buzë falimentimit dhe mostrajtimi i kësaj teme, është jashtëzakonisht problematik. Të gjitha janë të bllokuara. Çështja e dialogut është e një rëndësie të veçante. Kërkojmë që Kosova të arrijë një marrëveshje finale, që ligjërisht është e obligueshme”, deklaroi ai.

Ndërkohë, seanca e parë e Kuvendit për sesionin vjeshtor u caktua të mbahet më 15 shtator (e enjte) në orën 10:00.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila njoftoi se në mbledhjen e Kryesisë nuk pati kuorum, por grupet parlamentare u dakorduan për pikat e para të diskutimit.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, deklaroi se PDK-ja ka propozuar debat parlamentar për grevën e përgjithshme.

“S’ka si të fillojë ndryshe ky debat rreth grevave. Sot është e hëna e tretë që do të duhej të fillonte mësimi, por si rezultat i një kryeneçësie të Qeverisë dhe të kryeministrit, kemi ardhur në situatë kur greva po vazhdon, e fëmijët tanë po humbin”, deklaroi Tahiri.

Deputeti i PDK-së deklaroi se sipas tij, kryeneçësia e Kurtit po i bën dëm Kosovës.

“Kjo kryeneçësi po ia bën arsimit një dëm të madh vendit tonë. Deri të enjten kur nis sesioni, shpresoj që gjenden një zgjidhje dhe nxënësit të kthehen në bankat shkollore. Të arrihet sa më shpejt një zgjidhje, por nëse s’kemi zgjidhje, padyshim se s’ka si të fillojë ndryshe debati”, shtoi ai.