Arbëri

Nagavci: Dikur grevat ndërpriteshin vetëm me oferta, tash injorohen edhe veprimet

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në reagimin e dytë kritikues ndaj grevistëve në arsim të shtunën, e ka quajtur shantazhuese kryesinë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës në vend. Ajo ka thënë se dikur kjo sindikatë ndërpriste grevat vetëm me ofertat që ua bënin liderët, ndërsa tash po injorohen, siç thotë ajo, edhe veprimet që u afrohen kërkesave.

Pak orë pasi u shpreh se barrikadimi po ndodh vetëm nga grevistët, Nagavci ka komentuar grevat e mëhershme dhe ndërprerjet e tyre. Ajo ka marrë për shembull edhe grevat në disa vende evropiane ku ka thënë se ato janë ndërprerë vetëm pasi Qeveria ua ka plotësuar një nga kërkesat, ose u është afruar kërkesave të tyre.

Sipas saj, edhe në Kosovë në vazhdimësi ka pasur greva të shkurtra. Ajo ka thënë se për dallim nga herët e kaluara, tash SBASHK-u po barrikadohet edhe pse “veprimet e Qeverisë Kurti jo vetëm që janë duke i arritur, por duke i tejkaluar kërkesat e SBASHK-ut”.

“Në shkurt të vitit 2019, SBASHK-u ndërpreu grevën vetëm sepse zt. Kadri Veseli e zt. Ramush Haradinaj i’u premtuan rritje të pagave me projekt-ligjin për paga, dhe atë jo menjëherë por vetëm pas disa muajsh kur ai ligj do të miratohej e të hynte në fuqi. Në 2017, greva e paralajmëruar nuk u mbajt fare vetëm sepse Qeveria Haradinaj procedoi në Kuvend projekt-ligjin për projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit në vitet 1990-1999. Në 2015, greva u ndërpre kur Qeveria Mustafa pranoi vetëm njërën prej kërkesave të SBASHK e që kishte të bënte me përvojën e punës së mësimdhënësve. Ndërkaq, në vitin 2005, SBASHK kishte ndërprerë grevën pasi që Qeveria Kosumi kishte rritur pagat e mësimdhënësve për 7 euro.Kësaj herë, SBASHK kërkesën kryesore e ka shtesën prej 100 euro në muaj (që pas taksave i bie rreth 80 euro), deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat. Por, për dallim nga e kaluara kur grevat i kanë ndërprerë vetëm me oferta, kësaj radhe kanë vendosur të injorojnë jo vetëm ofertat shumëfish më të mira, por edhe veprimet tashmë të ndërmarra që i afrohen shumë kërkesës së tyre”, ka thënë Nagavci.

Qeveria ka ndarë nga 50 euro në muaj për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, nga shtatori deri në fund të vitit. Grevistët po kërkojnë nga 100 euro deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Sipas ministres, ky projektligj është në hapat e fundit të dorëzimit në Kuvend. Ajo ka thënë se projektligji do të rezultojë me rritje të përgjithshme të pagave të mësimdhënësve. Ajo ka thënë se në vlera monetare rritja do të jetë nga 140 euro për drejtorë deri në 193 euro për mësimdhënëse e 284 për bibliotekistë. Ajo ka thënë se projektligjin për paga e kanë ndarë për konsultim me SBASHK-un.

“Por, kanë vendosur t’i injorojnë. Arsyen e vërtetë e dinë vetëm udhëheqësit e SBASHK-ut, por përfundimisht kjo arsye nuk ka të bëjë me realizimin e kërkesave sindikale”, ka thënë ajo.

“Përkundër kësaj, Qeveria dhe MASHTI do të vazhdojë ta bëjë punën që e ka në mandat për ta përmirësuar cilësinë e arsimit në Kosovë. U bëj thirrje edhe njëherë mësimdhënësve që të vazhdojnë procesin mësimor sa më parë, duke reflektuar mbi gjitha veprimet e deritashme të Qeverisë e duke i dhënë mundësi reformave tjera gjithëpërfshirëse që janë në proces e do të përfundojnë së shpejti”, ka përfunduar reagimin Nagavci.