Arbëri

Boshnjaku: 99% e mësimdhënësve nuk e pranuan ofertën e kryeministrit

Descriptive Text

Anëtarja e këshillit grevist nga Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), Luljeta Boshnjaku takimin e djeshme në mes tyre dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, si dhe takimin e Këshillin Ekonomik Social, i ka cilësuar si të dështuara, pasi siç ka thënë, ende nuk kanë pranuar ndonjë ofertë të re nga Qeveria e Kosovës.

Boshjaku në një intervistë për KosovaPress fillimisht u ndal te takimi me ministren Nagavci, ku tha se nuk ka pasur ndonjë ofertë të re por vetëm është referuar në pakon e kryeministrit.

“Takimin që ishte me ministren Nagavci, ishte një shenjë e mirë që ministria na ftoi në dialog, mirëpo nuk ishte dialog, sepse nuk kishte ndonjë ftesë të re ose ndonjë ofertë të re, vetëm është referuar në pakon e kryeministrit. Takimi ishte i pa suksesshëm”, tha ajo.

Boshnjaku shtoi se pakoja që është prezantuar nga kryeministri Kurti, nuk ka qenë e mirëpritur për 99% të mësimdhënësve. Sipas saj, dje as në takimin me Këshillin Ekonomik Social nuk kishte rezultate, andaj greva do të vazhdojë.

“Ne e kemi pyet anëtarësinë për ofertën që është bërë prej kryeministri dhe mund të themi se 99% nuk e kanë pranuar një ofertë të tillë. Kërkesa jonë është e thjeshtë, 100 euro derisa të fillon implementimi i ligjit. Meqenëse të dy takimet ishin pa kurrfarë rezultati, greva vazhdon edhe ditëve në vijim, pra deri të fillon realizimi i kërkesave tona”, ka thënë Boshnjaku.

Ndërkaq, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, gjatë ditës së djeshme pas takimit me Këshillin Ekonomik Social, ka thënë se pritet gjatë vikendit të ketë takim me qeverinë dhe sipas tij ka sinjale pozitive për arritjen e marrëveshjes me qeverinë.

Nga data 25 gusht, shkollat dhe çerdhet në Kosovë dhe shërbyesit civilë janë në grevë. Kërkesa e Sindikatës për ta ndalur grevën është 100 euro deri në miratimin e Ligjit të Pagave./ksp