Arbëri

Osmani i kundërpërgjigjet kundërshtimit të Listës Serbe për vizitë veriut

Descriptive Text

Presidentja Vjosa Osmani nuk është e mirëpritur në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë.

Një ditë më parë ajo paralajmëroi se do të shkojë edhe në veri, por në një reagim të kryetarëve të të katër komunave të këtij rajoni, të cilin e ka shpërndarë Lista Serbe, thuhet se vizita do të përbënte provokim.

“Njoftimin për vizitë të Vjosa Osmanit e perceptojmë si një provokim të popullit serb dhe një formë tjetër presioni ndaj qytetarëve, veçanërisht në dritën e aktiviteteve antiserbe dhe pas deklaratave antiserbe të Osmanit në periudhën e kaluar. Në veri të ‘Kosovës e Metohisë’ askush nuk e percepton Vjosa Osmanin si presidente të tyre, as ne dhe as qytetarët tanë, dhe përderisa është kështu, ajo nuk ka se çfarë të kërkojë në veri të ‘Kosovës e Metohisë’”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Presidentja Osmani e ka kundërshtuar këtë qëndrim të Listës Serbe. Sipas saj, ky reagim dëshmon se qëllimi i këtij subjekti politik nuk është stabiliteti, por tensioni.

“Lista Serbe më së paku është përfaqësuese e interesave të serbëve që jetojnë në Kosovë. Lista Serbe për fat të keq është shndërruar në përfaqësuese të interesave të organizatave kriminale. Unë jo vetëm që jam presidente e të gjithë qytetarëve pa dallim, përfshirë të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë, por jam komandante supreme e ushtrisë së këtij vendi, e cila në mesin e saj ka edhe shqiptarë, edhe serbë, edhe turq e të komuniteteve të tjera”, ka thënë Osmani.

Përfaqësuesit politikë të serbëve kanë mirëpritur në veri këtë javë kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq. Një nga pankartat që mbanin në duar Kosovën e prezantonte si tokë të shenjtë të Serbisë.

Të njëjtën ditë kur Bërnabiqi ishte në veri, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi vizitoi Luginën e Preshevës, ku iu shtrua kërkesa nga përfaqësues politikë të shqiptarëve për shkëmbim territoresh me Serbinë.

Aktivistja serbe, Rada Trajkoviq, thotë se shkëmbimi mund të rikthehet në tavolinë të bisedimeve.

“Kam drojën se përmendja e kësaj ideje të vjetër (të keqe) gjatë vizitës së Bislimit nuk ishte aksidentale. Vizitat e përnjëkohshme të Bërnabiqit në veri dhe të Bislimit në Luginën e Preshevës më duken si orkestrim për të ringjallur idenë e ‘këmbimit të territoreve’ si kompromis ‘të pranueshëm’ për Vuçiqin dhe Kurtin”, u shpreh Trajkoviq.

Vizitat u realizuan pak ditë pasi nisi zbatimi i njohjes së dokumenteve të Kosovës nga Serbia. Pas kësaj komuniteti ndërkombëtar ka rritur trysninë për intensifikim të dialogut me qëllim që marrëveshja finale të mbërrihet sa më shpejt.