Arbëri

S’ka sinjale për ndërprerje të grevës

Në ditën e 13-të që nga nisja e grevës së përgjithshme, Sindikata e Bashkuar e Arsimit nuk ka dhënë sinjale për ndërprerjen e veprimeve sindikale. Pas incidentit në një shkollë në Prishtinë, ku një gjysh i një nxënëseje u tregua agresiv ndaj grevistëve, SBASHK-u u ka bërë thirrje prindërve që të mos u bëjnë presion mësimdhënësve. Në Këshillin e Prindërve kanë thënë se do të vazhdojnë të ngrenë zërin e tyre në mënyrë që të fillojë procesi mësimor.

Sinjale për ndërprerje të grevës, Sindikata e Bashkuar e Arsimit nuk ka dhënë as të martën.

Në ditën e 13 që nga nisja e grevës së përgjithshme, SBASHK-u u ka bërë thirrje institucioneve dhe prindërve që të mos u bëjnë presion mësimdhënësve.

“Presionet janë të vazhdueshme edhe nëpër disa komuna, shkolla dhe çerdhe, si nga ana e Qeverisë - rasti i djeshëm i vizitës së kryeministrit Kurti në Podujevë, ashtu edhe nga një numër i vogël i prindërve me fëmijët e tyre (nxënësit) që tentojnë ta thyejnë grevën. Ju bëjmë apel prindërve që edhe përkundër që numri është i vogël që tentuan me nxënës ta thyejnë grevën me presion ndaj grevistëve, që të heqin dorë nga kjo metodë, sepse në këtë formë në asnjë mënyrë greva nuk mund të ndërpritet. Presionin ta orientojnë drejt Qeverisë duke kërkuar zgjidhje për të filluar punën institucionet arsimore”, thuhet në thirrjen e SBASHK-ut.

Thirrjes së SBASHK-ut i parapri u incidenti që ndodhi në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë. Gjyshi i një nxënëseje me agresivitet tentoi ta ndalte kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, por nuk ia arriti dhe përfundoi duke u konfrontuar me grevistët.

Për këtë rast gjatë ditës është intervistuar nga policia Jasharaj.

“Mund të jetë edhe ajo që plaku të jetë i nxitur, sepse nuk ka qenë i ftuar për atë takim dhe madje nga linçimet që po më bëhen, mund të jetë i nxitur nga dikush tjetër dhe fati deshi që të mbyllet me kaq... E lus kryeministrin që të ulet dhe të bisedojë me ne, sepse fyerjet, sharjet nuk më largojnë nga rruga, sepse këtë betejë e mbaj, pavarësisht situatave që kanë ndodhë dhe do të ndodhin”, ka thënë kreu i SBASHK-ut.

Në Këshillin e Prindërve të Kosovës kanë thënë se SBASHK-u ka dërguar ankesë në adresë të gabuar. Sipas tyre, ata do të vazhdojnë të bëjnë presion përmes veprimeve paqësore në mënyrë që të fillojë procesi mësimor.

“Ne nuk duhet të jemi, edhe pse na kanë futur padrejtësisht në mesin e betejës midis Qeverisë dhe SBASHK-ut, apo në mesin e betejës politike, sepse greva është shndërruar në mjet politik, ne po e shohim. Prandaj ne ua bëjmë me dije të dy palëve që ata duhet t’i zgjidhin problemet midis tyre, por pa e përfshirë nxënësin, dhe përpjekjet janë pa e futur nxënësin në mes. Por përpjekjet tona si Këshill i Prindërve janë që të nxjerrim nxënësit nga ky presion, në të cilin janë futur pa të drejtë”, ka thënë Salie Osmankaq nga Këshilli i Prindërve.

Deri më tani nxënësit kanë humbur katër ditë orë mësimore si pasojë e grevës. Në Këshillin e Prindërve kanë bërë të ditur se mësimi i humbur nuk do të kompensohet, pasi nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë gjatë ditëve të fundjavës.

Që nga 25 gushti, punonjësit e sektorit publik, të cilëve u janë bashkuar edhe mësimdhënësit, janë në grevë të përgjithshme.

Gjatë ditës së martë, Komuna e Kamenicës që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se ka filluar procesi mësimor në dy shkolla, e sipas njoftimit të tyre në ditët në vijim pritet të nisë edhe në shkollat e tjera.

Për shkak të situatës së krijuar, 28 organizata e sindikata gjatë ditës së martë u kanë bërë thirrje për dialog Qeverisë dhe grevistëve.

Përkundër ndërmjetësimit të Presidencës, kryeministri Albin Kurti nuk ka filluar dialogun me sindikalistët.