Arbëri

MD: Sistemi gjyqësor nuk na ka mundësuar qasje në statistika

Ministria e Drejtësisë ka reaguar ndaj komunikatës së Këshillit Prokurorial të Shtetit lidhur me deklaratat e kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të bëra në një konferencë për media të dielën.

Kurti në konferencë për media tha se 200 gjyqtarë janë marrë me rastet e dhunës seksuale dhe kanë shqiptuar vetëm dënime me gjobë dhe me kusht, si dhe kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale.

KPK-ja ka thënë se nga viti 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar 4 raste që kanë të bëjnë me dhunë seksuale.

Në një komunikatë për media nga Ministria e Drejtësisë dërguar të dielen, thuhet se Republika e Kosovës respekton standardet ndërkombëtare mbi pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

Në reagim thuhet se përbërja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës pasqyron rekomandimet e opinioneve të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian, kurse reforma e fundit e Këshillit Prokurorial bazohet në Opinionin e Komisionit të Venecias.

“Njësoj kemi bërë edhe me vettingun. Nismat tona janë të bazuara në idenë për drejtësi dhe barazi, kurse reforma bazohet në Kushtetutë e ligj Të këtillë e duam edhe gjyqësorin – të pavarur në aksion, e me veprim të bazuar në ligj. Qeveria e Republikës së Kosovës dënon veprimet jo të ligjshme e të ndikuara të sistemit gjyqësor dhe këto i ndan me publikun e gjerë”, thuhet në njoftim.

MD-ja thotë se veprimet e pasqyruara në raportet e misioneve ndërkombëtare e shoqërisë civile, që reflektohen në statistika të paraqitura sot gjatë konferencës për media, janë të shkruara dhe të hapura për publikun.

Sipas MD-së, sistemi gjyqësor kundërshton këto statistika dhe pretendon në një realitet tjetër.

“Po kush mund ta dijë cilat janë statistikat e vërteta të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial?”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj ministrie, strategjia për Sundimin e Ligjit ka paraparë nevojën dhe ka identifikuar veprimet që shpijnë te mundësimi i qasjes së Ministrisë së Drejtësisë në statistikat e gjyqësorit. Në këtë mënyrë, MD-ja thotë se përveç qasjes në informacion të plasuar e në kohë reale, Ministrisë natyrisht, nuk do i lejohej veprim tjetër. Thuhet se qasja është e domosdoshme për planifikim të politikave e në fund, hartim të ligjeve.

“Deri tani, nuk është ndërmarrë asnjë veprim i sistemit gjyqësor lidhur me mundësimin e qasjes së Ministrisë në statistika. Mos reagim i këtillë përkon me qëndrimet e fuqishme të dy Këshillave që një veprim i këtillë të mos parashihej në Strategjinë për Sundim të Ligjit. Qasja në statistika nuk kërcënon pavarësinë e gjyqësorit. Pavarësia reflektohet në vendimmarrje, jo në numër final të gjeneruar nga vetë prokuroritë dhe gjykatat. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar ndaj reformës dhe ndryshimeve të domosdoshme në sistemin e drejtësisë, në raport me kërkesën e votuesve e nevojën e qytetarëve. Për këtë qëndrojmë të hapur ndaj bashkëpunimit ndër institucional por, assesi nuk do heshtim ndaj rezultatit e performancës së dobët, që rezulton me veprime e reagime kërcënuese ndaj mirëqenies”, thuhet në njoftim.