Arbëri

Kurti: Shpresoj që Bërnabiq të mos e vazhdojë avazin e Petkoviqit

Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për vizitën e planifikuar të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, për në veri të Kosovës.

Kurti në konferencë për media ka thënë se kërkesa për vizitën e Bërnabiqit ka ardhur pasi që Qeveria e Kosovës kishte bërë kërkesë te institucionet e Serbisë për të lejuar vizitën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Bërnabiq në Kosovë do ta vizitojë veriun e Mitrovicës, Zveçanin e Leposaviqin.

“Shpresoj që vizitat e zyrtarëve t’i kontribuojnë lëvizjes së lirë në përgjithësi. Por, pres që z. Bërnabiq të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit të Beogradit që jepte deklarata përçarëse, ndarëse e që kishin për qëllim tensionimin”, ka thënë Kurti. “Kemi nevojë të përqendrohemi te jeta më e mirë e gjithë qytetarëve. Besoj se Qeveria e Kosovës me mua si kryeministër, për këto më pak se një vit e gjysmë, ka bërë më shumë se çdo qeveri paraprake. Edhe sa i përket punësimit të personave nga komunitetet joshumicë. Por, edhe këtu kemi një vështrësi. Sepse punësimi ka shkuar shpesh sipas partive politike. Edhe te komunitetet joshumicë listat e të punësuarve në institucionet publike janë përpiluar nga partitë politike. Nuk është e lehtë që një avaz që ka vazhduar për mbi 20 vjet të ndryshojë për më pak se një vit e gjysmë”.