Arbëri

Qeveria miraton raportin për matje të territorit, s’tregon kur do ta procedojë në Kuvend

Descriptive Text

Qeveria e Kosovës ka miratuar Raportin e Komisionit për matjen e territorit të Kosovës. Po nuk ka treguar se kur e ka ndërmend ta procedojë në Kuvend për ratifikim, raporton Koha.net.

“Kosova nuk humb asnjë metër territor me demarkacionin me Malin e Zi”. Kështu ka thënë kryetari i Komisionit për matjen e territorit, akademik Hivzi Islami, në cilësinë e kryetarit të Komisionit, në mbledhjen që Qeveria e Kosovës ka mbajtur të premten mbrëma.

Islami tha aty se Komisioni s’ka pasur mandat të bëjë kufij të ri, por thjesht me metoda shkencore të bëjë matjen e territorit të vet.

Duke aluduar në deputetin Shpejtim Bulliqi e Florim Isufin, të dy gjeografë, Islami tha se “dy studentët e tij ia futën barutin Kosovës”. Tha edhe se injorantët e keqpërdorën shkencën dhe u vunë në shërbim të politikave ditore.

Derisa e ka prezantuar raportin, kryeakademiku Islami tha se Komisioni pati përgjegjësi të madhe dhe punoi pa ndikime politike.

“Por gjatë punës pati shantazhe ndaj anëtarëve, njëri prej të cilëve, u detyrua të japë dorëheqje në fund të procesit”, ka thënë ai.

Se territori i Kosovës nuk cenohet me këtë demarkacion, kanë thënë edhe kryeshefi i Agjencisë së Pyjeve, Ahmet Zejnullahu dhe ai i AKP-së.

Ministri i jashtëm, Enver Hoxha, e ka cilësuar punën e Komisionit si kredibile e serioze, teksa ka thënë se puna e tij është në rrjedhën e burimeve ndërkombëtare.

"Me këtë territor Kosovën e kanë njohur 114 shtete", ka thënë Hoxhaj. "Raportet e Kosovës me Malin e Zi janë të shkëlqyeshme dhe asnjëra ndaj tjetrës nuk ka shfaqur pretendime territoriale", ka thënë tutje kryediplomati. 

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, ka tërhequr vëmendjen që problemi, nga i brendshëm të mos bëhet problem mes Kosovës dhe Malit të Zi. Sipas tij, ka nevojë për një konsensus edhe me spektrin tjetër politik, pos koalicionit qeveritar rreth kësaj çështjeje.