Arbëri

Avokati: Ka raste kur familja e viktimës së dhunës seksuale kërkon martesë me abuzuesin

Avokati kosovar, Dardan Hakiu, ka thënë se ka raste në Kosovë kur familjet e viktimave të dhunës seksuale kërkojnë martesë të saj me abuzuesin.

Hakiu, i cili gjatë profesionit të tij ka përfaqësuar të mitura të abuzuara seksualisht, por edhe të pandehur për dhunë seksuale, ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, se kjo pastaj merret si rrethanë lehtësuese në procesin gjyqësor ndaj abuzuesit.

“Ka raste kur ka marrëveshje midis palëve, kur familja e të dëmtuarës pajtohet që të kërkojë dënim më të ulët në mënyrë që abuzuesi të martohet me të miturën. Në Kosovë ka këso raste kur familja e të miturës i thotë abuzuesit se nëse e merr për nuse vajzën, heqin dorë nga ndjekja penale ndaj tij”, ka thënë Hakiu.

 

“Në Kosovë ka raste kur familja e marton viktimën e dhunës seksuale me dhunuesin”, thotë avokati Dardan Hakiu Më shumë ? https://www.koha.net/r341724

Posted by Koha.net on Thursday, September 1, 2022

Ai ka shtuar se ka parë dënime të ashpra në Kosovë vetëm për sulm seksual.

“Personalisht kam parë dënime të ashpra. Nëse vetëm për një prekje dënohet me mbi 5 vite burgim, nuk është dënim i vogël”, është shprehur avokati Hakiu.

Sipas tij, gjyqësori në Kosovë është ende i brishtë në kuptim të burimeve njerëzore dhe se ka gjykata që e kanë vetëm një gjyqtar ose prokuror për të mitur.

Ai ka kritikuar edhe raportimin me vonesë të dhunës seksuale nga shumë të mitura, duke thënë se kjo mandej paraqet problem në aspektin e provave.

Deklaratat e tij vijnë vetëm pak ditë pasi u bë publik lajmi se një 11-vjeçare dyshohet të jetë dhunuar nga pesë persona në Prishtinë. Të gjithë të dyshuarit janë arrestuar dhe ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji për secilin. Ky rast ka ngjallur reagime të shumta, të cilat janë shoqëruar me protesta në Prishtinë, Tiranë e Shkup.