Arbëri

Lista Serbe i reagon ministrit Sveçla, pasi ai tha se Radoiçiq do të arrestohet

Descriptive Text

Lista Serbe ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, që tha se Milan Radoçiqit do t’i vijë momenti dhe do të arrestohet.

Sveçla në një intervistë të mërkurën mbrëma për televizionin publik tha se Radoiçiq më nuk e ka pushtetin që e kishte dikur.

“Radoiçiq dikur lëvizte i lirë dhe kishte pushtet, tani po humb pushtet dhe i duhet të futet ilegalisht në Kosovë. Radoiçiqi do t’i rrallojë vizitat në Kosovë sepse do t’i vij momenti kur do të zihet nga Policia e Kosovës dhe do të përgjigjet për të gjitha veprat për të cilat dyshohet”, ka thënë Sveçla.

E Lista Serbe ka thënë se deklaratat e ministrit Sveçla janë pasqyrim i “dobësisë së tij”.

“Kërcënimet nga ministri i Policisë, Xhelal Sveçla, që i drejton nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, janë pasqyrim i dobësisë dhe pafuqisë që Sveçla ndien në lidhje me respektin dhe mbështetjen që serbët në veri ia japin z. Radoiçiq në luftën për të drejtat e popullit serb. Të gjithë në Prishtinë, përfshirë edhe Xhelal Sveçla, e dinë shumë mirë se nënkryetari ynë është vetëm këtu, me njerëzit e tij në Kosovë e M., në tokën e tij, dhe Sveçla dhe forcat e tij speciale janë vetëm mysafirë të paftuar dhe të padëshiruar, të cilët janë vetëm trima ndaj qytetarëve të paarmatosur, grave dhe fëmijëve. Duam t’i kujtojmë z. Sveçla se ai vjen në veri i fshehur në xhipa të blinduar të lyer, pas dhjetë kontrolleve e analizave, me ndalim minimal, sepse fjalët e tij janë të mëdha, por veprat dhe zemra e tij janë të vogla dhe sa herë vjen ka frikë nga takimi me Z. Radoiçiq, që duket qartë se i është bërë obsesion e makth. Për fund, ne duam t’i themi ministrit Sveçla, se është e qartë për të gjithë serbët, se qëllimi i juaj është nënshtrimi i veriut dhe dëbimi i serbëve, e jo stabilizimi i situatës. Por, duhet ta keni të qartë se serbët nuk do të pajtohen kurrë me këtë, ju nuk do ta dëboni dhe nënshtroni popullit tonë”, thuhet në reagim të Listës Serbe.