Arbëri

Rama pro rivlerësimit të mësimdhënësve, kundër ndaljes së pagës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, deklaroi se mbajtja e grevës është e drejtë e institucioneve, por që sipas tij, edhe rivlerësimi i mësimdhënësve është e drejtë legjitime e Qeverisë.

Rama shkroi në Facebook të mërkurën, se kërkesa e Qeverisë për t'ua dërguar listat e mësimdhënësve që u futën në greva është jolegjitime.

“Është e drejtë e institucioneve arsimore dhe të administratës që të vihen në grevë. Pandemia dhe, pas saj, lufta në Ukrainë, bënë që të rriten të gjitha çmimet. Vetëm pagat mbetën të njëjtat. Kërkesa e qeverisë së Kosovës bërë drejtorive komunale të arsimit për t’ua nisë listat e mësimdhënësve grevistë, që t’i nxjerrë ata nga lista e pagave, është e kundërligjshme. Por është e drejtë legjitime e qeverisë që mësimdhënësit t’ia nënshtrojë testit të rivlerësimit, proces ky që duhet të ishte ndërmarrë që moti”, shkroi Rama.

Ai theksoi se nxënësit duhet patjetër t’iu kthehen bankave shkollore e punonjësit administratës.

“Është prandaj imperative që bashkimi i sindikatave dhe Qeveria të mos e ndërpresin dialogun dhe të gjejnë një kompromis një orë e më parë”, tha ai.