Arbëri

Opozita e quan precedent të rrezikshëm ndaljen e pagave për grevistët

Opozita ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’ua ndalë pagat grevistëve, duke thënë se kjo paraqet precedent të rrezikshëm dhe se vendimi duhet të rishikohet.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria në vend se të dilte me masa për gjendjen e rëndë ekonomike dhe energjetike në të cilën ndodhet Kosova, po vepron me masa hakmarrëse ndaj mësimdhënësve e shërbyesve civilë, duke ua ndalë pagat.

“Vetëm një qeveri e paaftë për të qeverisur dhe pa kurrfarë vizioni për të adresuar sfidat socio-ekonomike të qytetarëve mund të lëshohet në vendime të tilla arbitrare. Ky mentalitet sanksionues ndaj mësimdhënësve tanë nuk është parë e as dëgjuar në Kosovë që nga koha e okupimit serb dhe masave të dhunshme të viteve ’90. Sot, ministri i financave do të duhej të dilte me masa ekonomike e iniciativa konkrete për t’ua lehtësuar të gjithë qytetarëve, përfshirë mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë, ballafaqimin me depresionin ekonomik që vetëm po rritet. Por, ai doli për ta luajtur rolin e ndëshkuesit, ndëshkim me të cilin regjimi i Albin Kurtit po demonstron vullnetin për t’u hakmarrë ndaj atyre që refuzojnë t’i nënshtrohen dhe të mbyllin gojën, sytë dhe veshët përballë kësaj situate të rëndë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e ka quajtur qeverinë aktuale "regjim i kuq".

“Regjimi i kuq, fillimisht e dëshmoi që është dështues e tash edhe dënues. Sot, për herë të parë në Kosovën e lirë, regjimi i kuq i dënoi grevistët me ndalje të pagës. Ky dënim ndaj grevistëve është pasojë e paaftësisë qeverisëse. E drejta për grevë është e garantuar me ligje vendore dhe konventa ndërkombëtare. Mos të harrojmë se, ishin po të njëjtat sindikata dhe po të njëjtit akterë sindikal, kur pushteti i sotëm, në cilësinë e opozitës së djeshme, përveçse i mbështeste, bashkë me ta edhe protestonte. Në vend të urimit për një fillim të mbarë të vitit shkollor; mësuesit, nxënësit dhe prindërit po privohen nga të drejtat e tyre pikërisht nga paaftësia qeverisëse. Regjim i kuq, ndalni këto veprime dhe ofroni zgjidhje”, ka shkruar Zemaj.

Ndërkaq, nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, e ka ftuar Qeverinë që urgjentisht ta rishikojë vendimin.

“Mosprocedimi i pagave për grevistët është gabim shumë i madh. E ftoj qeverinë që urgjentisht ta rishikojë këtë vendim. Kjo qasje paraqet precedent shumë të rrezikshëm për demokracinë tonë dhe funksionimin e shtetit, në shumë rrafshe. Pavarësisht se a konsideroni se kanë të drejtë apo jo grevistët, vendimi për ndalje të pagave është i paprecedent. Kujtojeni grevën e minatorëve!!”, ka shkruar Gjini.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media të mërkurën ka thënë se ekzekutimi i pagave në sektorin publik është bërë pjesërisht për muajin gusht, për shkak të vonesave në procesimin e listave të grevistëve.

Ai ka thënë se pagat do të dalin vetëm për ditët që konsiderohet që të punësuarit s’kanë qenë në grevë.

“Paga do të duhej të ishte rreth 90 euro më pak për secilin pjesëmarrës në grevë sepse llogaritet se ka punuar për 24 ditë të muajit gusht”, ka thënë Murati.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se gjëja e fundit që familjet e mësimdhënësve e të zyrtarëve publikë kanë nevojë është ndalesa e pagave.

Abdixhiku shkroi në Facebook të mërkurën se ndalesa është shantazh jodemokratik e akt i shëmtuar politik.

“E ftoj Qeverinë për dialog në vend të arrogancës. Mësimdhënësit e zyrtarët shtetëror janë njerëzit tanë. Familjet e tyre janë qytetarë tanë. Politika bëhet për ta. Shpërputhja e pushtetit me kërkesa qytetare - në këtë masë - nuk do të durojë gjatë”, tha tutje Abdixhiku.