Arbëri

Për një vit e gjysmë në Qeverinë Kurti 2, asnjë investim në objektet spitalore të lëna në gjysmë

Objekti i Emergjencës se Re të QKUK-së, objekti i Spitalit të Ferizajt e objekti i Spitalit të Podujevës janë tri projektet më të rëndësishme në shëndetësinë publike, për të cilat nuk dihet se si do të përmbyllen. Të tria objektet kanë mbetur në gjysmë prej shumë vjetësh, derisa në Qeverinë Kurti 2 nuk ka pasur asnjë veprim në drejtim të përfundimit të punëve. Ministria e Shëndetësisë ka thënë që i kanë prioritet këto objekte, porse pa dhënë ndonjë detaj se çfarë është duke bërë në këtë drejtim

Ky objekt duhej të kishte përfunduar prej tre vjetësh.

Disavjeçare ishte gara për ta ndërtuar objektin e ri të Emergjencës në QKUK. Kur më 2016 tenderi u nënshkrua, u tha që ai do të përfundohej në vitin 2019. Por ka katër vjet që askush nuk ka kryer asnjë punë në këtë objekt.

Për ndërtimin e tij ka nisur hetim penal, derisa edhe një padi administrative është në gjykatë. Megjithatë, operatori që i ka kryer punimet e vrazhda, është tërhequr nga përfundimi i objektit, gjë që hap rrugën për një tender të ri, nëpërmjet të cilit objekti do të bëhej funksional.

Asnjë nismë konkrete nuk ka nga Ministria e Shëndetësisë në këtë drejtim, edhe pse pretendon që brenda dy vjetësh, ky objekt do të bëhet një nga “Qendrat e Ekselencës”.

“Sa i përket objektit të emergjencës, ky është një prioritet i lartë për ministrin, pasi synohet që brenda dy vjetëve, kjo qendër të bëhet Qendër për Traumë dhe Emergjencë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Për vazhdimin e këtij projekti duhet të hapet tender i ri.

Procedurat e prokurimit shpesh zgjasin rreth një vit, nëse OSHP-ja në vlerësim të parë konstaton shkelje. Minimalisht, nëse nuk gjenden shkelje, një procedurë prokurimi nuk kryhet më herët se rreth 4 muaj.

Ky nuk është i vetmi projekt kapital që MSH-ja e ka lënë zvarrë.

Premtime në disa palë zgjedhje lokale e qendrore ka pasur edhe për Spitalin e Podujevës. Është rekrutuar stafi i cili aktualisht e kryen punën në QKUK. Vitin e kaluar, tenderi ishte hapur, edhe pse nuk kishte buxhet. U anulua pas zgjedhjeve lokale në këtë komunë. Prej atëherë, nuk ka asnjë lëvizje konkrete për këtë spital. Këtë e ka konfirmuar edhe MSH-ja në përgjigjën e saj.

“Te Spitali i Podujevës nuk ka ndonjë lëvizje domethënëse tani për tani; sa i përket Objektit të Emergjencës”, thuhet tutje në përgjigjen e Zyrës së Komunikimit në MSH.

Punimet prej vitesh janë ndërprerë edhe për përfundimin e Spitalit të Ferizajt. Historia e ndërtimit të këtij spitali është e ngjashme me atë të objektit të Emergjencës. Në MSH thonë që e kanë në qëllim ta përfundojnë, porse nuk e kanë shpalosur as planin për të bërë një gjë të tillë, e as kohën e përafërt kur mund të përfundohet.

“Te Spitali i Ferizajt, qëllimi është që të vazhdohet me përfundimin e tij, ndërsa MSH-ja është në pritje të një vlerësimi/prerjeje të punimeve të deritanishme që ka marrë ta bëjë Fakulteti i Ndërtimtarisë i UP “Hasan Prishtina” (sipas një Memorandumi bashkëpunimi me MSH-në), për të përcaktuar pastaj MSH-ja koston e investimeve të mëtejmë aty”, ka thënë MSH-ja.

Ministria e Shëndetësisë ka vite që nuk ka arritur ta përfundojë asnjë projekt kapital të rëndësishëm. I fundit që është përfunduar, është objekti i Klinikës së Pediatrisë, porse financimi e mbikëqyrja e objektit nuk është bërë nga MSH-ja, por nga një donacion.