Arbëri

Raçi: Nuk ua kemi ofruar listat, pezullimi i pagave është në kundërshtim me ligjin

Imer Raçi nga Sindikata e Ministrisë së Ekonomisë ka thënë se shërbyesit civilë janë në grevë mbështetur në ligjin që i mbron, ndërsa ka thënë se grevistët kanë ndërprerë të gjitha shërbimet e punës, përveç ato që janë me urgjencë.

“Në grevë jemi të gjithë shërbyesit civilë në kuadër të ministrive. E drejta për grevë mbrohet nga Ligji për Greva. I kemi ndërprerë të gjitha shërbimet e punës, përveç punë që janë me urgjencë”.

Ai në "60 Minuta" në KTV ka thënë se greva e shërbyesve civilë “e paralizon punën” e institucioneve pasi “asnjë aktivitet nuk mund të funksionojë pa mbështetjen e shërbyesve”.

Për grevën ai është i bindur se do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave.

“Greva jonë e ka një kërkesë për rritjen e pagës, për momentin në 100 euro deri në miratimin e Ligjit për Paga dhe do zgjasë deri në miratimin e kërkesave”.

Raçi tha se nuk kanë ofruar listat me emrat e grevistëve siç është kërkuar, pasi tha se pezullimi i pagave është në kundërshtim me ligjin.

“Disa institucione janë thirr në një nenin 7 të Ligjit për Greva ku i kanë kërcënuar të gjithë shërbyesit që do tu ndalet mëditja e punës nëse janë në grevë. Janë kërkuar listën e shërbyesve që janë në grevë. Ne nuk kemi ofruar listë sepse nuk kemi bërë listë pasi greva është vullnetare. Kjo që ata kanë kërkuar për t’i ndaluar pagat për çdo ditë greve, është në kundërshtim me ligjin. Me nenin 13 thotë që nuk mund të merret masa disiplinore apo financiare për ata që marrin pjesë në grevë”, tha ai.

Raçi tha se Qeveria është përgjegjëse për t’i njoftuar ministritë për grevën që mbajnë punonjësit dhe shtoi se Qeveria ishte e njoftuar për ta.

“BSPK-ja e ka dërguar vendimin te Qeveria dhe Qeveria është dashtë t’i njoftojë ministritë. Jo nuk ka bazë pasi nëse i ndëshkon grevistët është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”.

Ai ka deklaruar se shumica e shërbyesve civilë janë në grevë.

“Me çdo shërbyes civil që bisedon ai është pjesë e grevës, shumica janë të bashkangjitur. Dalim në vendin e punës, por nuk i kryejmë shërbimet e punës”.

Raçi theksoi se ka buxhet për rritjen e pagave, por sipas tij, nuk po ka vullnet nga Qeveria.

“Pagat e shërbyesve civilë deri më 2014 ka qenë rritja më e madhe. Ajo që kemi kalkuluar është se më 2015 përqindja e buxhetit për paga ka qenë 33% kurse më 2022 është vetëm 24% e buxhetit e orientuar te pagat. Nëse e marrim me 30%, 153 milionë e 400 mijë euro mund të orientohen në paga që ka mbulesë të mjaftueshme, për një vit e kemi llogaritur. Ka buxhet, vetëm duhet të ketë vullnet”.