Arbëri

Buleshkaj: Mungesa e mekanizmave mbikëqyrës të punës së mësimdhënësve sfidon cilësinë e arsimit

“Edhe pse ekziston korniza ligjore për sigurimin e cilësisë në arsim të përgjithshëm dhe profesional parauniversitar, mungon zbatimi i saj i plotë duke përfshirë: mungesën e inspektorëve pedagogjik siç parashihet me Ligjin për Inspektoratin e Arsimit, nuk është emëruar koordinatori i cilësisë në MASHTI, nuk janë emëruar formalisht koordinatorët e cilësisë në DKA dhe në IEAA”, ka thënë Buleshkaj

Prishtinë, gusht - Ndër sfidat kryesore që përballet sektori i arsimit parauniversitar në Kosovë, sipas njohësit të arsimit, Osman Buleshkaj, është mungesa e mekanizmave për mbikëqyrjen e punës së mësimdhënësve. Gjithashtu sipas profesorit universitar, Buleshkaj, “luftën” në përmirësimin e gjendjes së arsimit e vështirësojnë kapacitetet e kufizuara njerëzore tek institucionet përgjegjëse si dhe menaxhimi i procesit te zbatimit të kurrikulës e të licencimit të mësimdhënësve. Sfida të tjera përbëjnë ndërlidhja e arsimit dhe aftësimit profesional me tregun e punës si dhe gjithëpërfshirja në arsimin parauniversitar. Buleshkaj edhe për kërcënimin me grevë nga ana e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK)

Cilat janë sfidat me të cilat ballafaqohet sektori i arsimit dhe që kanë nevojë për intervenim urgjent nga institucionet përgjegjëse?

Buleshkaj: Ndër sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet sektori i arsimit parauniversitar në Kosovë, ai i përgjithshëm dhe profesional, do të veçoja:

Kurrikula e bazuar në kompetenca – Zbatimi i kurrikulës është përcjellë me një qasje të fragmentuar dhe jokoherente të zbatimit të saj. Mungesa e mekanizmave të mbikëqyrjes, përkrahjes dhe llogaridhënies në procesin e zbatimit të kurrikulës kanë ndikuar në cilësinë e procesit. Ka pasur përkrahje të pamjaftueshme të mësimdhënësve në planifikimin dhe realizimin e procesit mësimor sipas kërkesave të Kornizës Kurrikulare. Shkollat nuk e shfrytëzojnë autonominë e tyre për zbatimin e kurrikulës duke u bazuar në kushtet specifike të tyre. Cilësia e teksteve shkollore, në raste edhe mospërputhja e plotë me Kurrikulën, është kontestuar në vazhdimësi.

Sistemi i licencimit të mësimdhënësve – Niveli aktual i zbatimit të sistemit të licencimit nuk mundëson avancim profesional, nuk siguron lidhjen e licencimit me sistemin e pagave të mësimdhënësve dhe nuk siguron gradim të mësimdhënësve në sistemin e karrierës. Prandaj, zbatimi i këtij sistemi është sfidues sidomos për faktin se vlerësimi i performancës së mësimdhënësve, si komponent kryesor i sistemit të licencimit të mësimdhënësve, nuk ka arritur të zbatohet deri më sot dhe nuk mundëson gradimin/avancimin e mësimdhënësve.

Sigurimi i cilësisë në arsimin parauniversitar – Edhe pse ekziston korniza ligjore për sigurimin e cilësisë në arsim të përgjithshëm dhe profesional parauniversitar, mungon zbatimi i saj i plotë duke përfshirë: mungesën e inspektorëve pedagogjikë, siç parashihet me Ligjin për Inspektoratin e Arsimit, nuk është emëruar koordinatori i cilësisë në MASHTI, nuk janë emëruar formalisht koordinatorët e cilësisë në DKA dhe në IEAA. Edhe në rastet kur ata janë emëruar, sidomos në IEAA, mundësitë për zhvillim të vazhdueshëm profesional të koordinatorëve janë të kufizuara ndërsa resurset në dispozicion nuk i adresojnë mjaftueshëm nevojat e shkollave për zbatim adekuat të ciklit të cilësisë.

Menaxhimi i arsimit parauniversitar – Procesi i decentralizimit të përgjegjësive në arsim ka shtuar përgjegjësitë dhe shkallën e llogaridhënies në të gjitha nivelet e arsimit. Këto përgjegjësi dhe mundësi nuk janë shfrytëzuar sa duhet nga tri nivelet – për shkak të kapaciteteve të kufizuara njerëzore, por edhe si rezultat i mosplanifikimit të resurseve të nevojshme për menaxhimin e tyre.

Ndërlidhja e arsimit dhe aftësimit profesional me tregun e punës – Shumë vlerësime tregojnë se shkollat e mesme profesionale në Kosovë nuk e përmbushin sa duhet kërkesën që t’i aftësojë dhe t’i përgatisë nxënësit në shumë profesione dhe zanate për të hyrë në tregun e punës pas përfundimit të shkollimit të mesëm profesional. Kjo vjen si rezultat i sfidave të shumta me të cilat ballafaqohen shkollat profesionale, ndër të cilat janë: mosbashkëpunimi i mjaftueshëm me bizneset, mospërshtatja e programeve/profileve me tregun e punës, mungesa e infrastrukturës dhe pajisjeve të nevojshme, mungesa e laboratorëve dhe punëtorive, mundësitë e kufizuara për organizimin e mësimit praktik dhe mësimit në vendin e punës, mungesa e materialeve të nevojshme mësimore, si dhe mungesa e shërbimeve të orientimit dhe këshillimit në karrierë.

Gjithëpërfshirja në arsimin parauniversitar – Sipas raporteve të MASHTI-t, shkalla e përfshirjes së fëmijëve në arsimin parafillor është 88.1%, në arsimin e mesëm 91.2%, dhe në arsimin e mesëm të lartë është 81.1%. Komunitetet: boshnjak, turk, rom, ashkali dhe egjiptian janë të integruar në sistemin e arsimit të Kosovës. Megjitatë, fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian përballen më sfida të ndryshme sa i përket qasjes në arsim. Sfidë tjetër në nivel vendi mbetet përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuara. Konsiderohet se këta nxënës janë shumë pak të përfaqësuar brenda sistemit arsimor, me një përfshirje prej afërsisht 2.1% e nxënësve në shkollë, ndërkaq vlerësohen të jenë rreth 15% të popullsisë. Gjithashtu, sfidë tjetër është numri i ulët i mësimdhënësve mbështetës dhe asistentëve të cilët punojnë më nxënësit me nevoja të veçanta arsimore.

Një sfidë tjetër mbetet rrjeti i shkollave. Në bazë të projeksioneve të popullsisë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, do të ketë në vazhdimësi rënie të numrit të nxënësve në nivelin fillor dhe të mesëm. Këto ndryshime demografike kërkojnë racionalizim të rrjetit të shkollave dhe imponojnë nevojën për rishikim të planeve afatgjate strategjike.

Sa është efektive mësimnxënia në institucionet arsimore që funksionojnë me dy e tri ndërrime?

Buleshkaj: Efektshmëria e mësimdhënies në institucionet shkollore që funksionojnë me dy a tre ndërrime gjithsesi se nuk mund të krahasohet me atë në shkolla ku punohet me një ndërrim apo me orar tërë-ditor. Megjithatë, krahasimi nuk duhet kufizuar në kohë, por në përmbajtje. Pra, jo sa orë/kohë qëndrojnë në shkollë/klasë, por çfarë ndodh dhe çfarë u ofrohet gjatë asaj kohe të qëndrimit. Gjithsesi, organizimi i mësimit me dy a tri ndërrime kushtëzohet nga mungesa e infrastrukturës në disa qendra/qytete në Kosovë. Mirëpo, duhet kujtuar se sipas të dhënave të MASHTI-t, në Kosovë janë rreth 60% të shkollave të cilat kanë më pak se 250 nxënës dhe i kemi mbi 200 shkolla (që janë paralele të ndara) të cilat funksionojnë me më pak se 50 nxënës apo me rreth 4 nxënës për klasë. Prandaj, gjykimi mbi efektshmërinë e mësimdhënies nuk duhet kufizuar në numër/kohë, por në përmbajtje dhe cilësi të kohës së kaluar të nxënësve në klasë. Sa është sfiduese mësimdhënia me numër të madh të nxënësve në klasë, po aq sfiduese është mësimdhënia me numër të vogël të nxënësve në klasë.

Sivjet është shtuar numri i nxënësve që kanë ngelur në klasa, për këtë situatë kush duhet të fajësohet?

Buleshkaj: Rritja e numrit të nxënësve të cilët nuk kanë kaluar klasën, apo nuk kanë arritur rezultate të mjaftueshme për të kaluar nga një klasë në tjetrën, është shumë shqetësuese dhe duhet trajtuar me shumë prioritet. Fillimisht duhet analizuar faktorët që kanë ndikuar në këtë rritje e pastaj duhet planifikuar veprimet konkrete për të mbështetur nxënësit. Prandaj, fajtorët duhet identifikuar nga shkaqet që kanë çuar në këtë rritje. Dhe këtu nuk ka një fajtor, ose një palë/anë, sepse suksesi dhe rezultatet e nxënësve nuk varen vetëm nga një palë/anë. Ajo që duhet theksuar është gjetja e dhe organizimi i formave të ndryshme të mbështetjes për këta nxënës, në mënyrë që ta tejkalojnë këtë situatë dhe të përmirësojnë rezultatet e tyre. E përgjegjëse kryesor për organizimin e këtyre formave mbështetëse janë shkollat dhe DKA. Pra, mësimdhënësit, me mbështetjen e drejtorëve dhe DKA-ve, duhet të organizojnë forma të ndryshme të mësimit plotësues për të mbështetur këta nxënës.

A kanë trajnim adekuat mësimdhënësit për të bërë vlerësimin e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve?

Buleshkaj: Vlerësimi i nxënësve sipas Kurrikulës së bazuar në kompetenca, kërkon qasje dhe përgatitje adekuate të mësimdhënësve. MASHTI ofron trajnimin e mësimdhënësve për zbatimin e Kurrikulës, duke përfshirë edhe vlerësimin e nxënësve. Gjithashtu, MASHTI përmes Këshillit Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve, shqyrton dhe aprovon programe të ndryshme të trajnimit të mësimdhënësve në fusha dhe tema të ndryshme, përfshirë këtu edhe vlerësimin. Pra, ekzistojnë programe trajnimi të cilat në mënyrë eksplicite synojnë të mbështesin mësimdhënësit në planifikimin, përgatitjen dhe aplikimin e formave të përshtatshme për vlerësimin e nxënësve. Mirëpo, çfarë mungon është mbështetja financiare (nga MASHTI dhe DKA) për organizimin e këtyre trajnimeve. Deri më tani, kjo mbështetje është bazuar kryesisht nga fondet e organizatave donatore të MASHTI, prandaj qasja në këto trajnime, sidomos për vlerësimin e nxënësve, është e kufizuar si dhe përfshirja e mësimdhënësve është e ulët.

Sivjet rrezikohet fillimi i vitit të mbarë shkollor për shkak të paralajmërimeve për grevë nga Sindikata e Arsimit (SBASHK). Ndaj paralajmërimeve të tilla, cila duhet të jetë qasja e nivelit qendror?

Buleshkaj: Nuk është hera e parë që sektori i arsimit përballet me këtë situatë. Përsëritja e saj vjen si rezultat i mungesës së komunikimit dhe dialogut konstruktiv ndërmjet SBASHK-ut dhe MASHTI-t, përkatësisht nivelit qendror, lidhur me temat që prekin mirëqenien dhe pozitën e mësimdhënësve, jo vetëm pagat. Në mungesë të këtij dialogu, fillimi i vitit të ri shkollor 2022-2023 përballet me situatën e grevës. Në vend që temë diskutimi në shkollat dhe institucionet edukative arsimore të jenë çështjet lidhur përgatitjet për fillimi sa më të mirë të vitit shkollor, përgatitja e planeve të punës/mësimdhënies e sigurimi i teksteve e materialeve mësimore, planet për zhvillim profesional e avancim të mësimdhënies, temë diskutimi do të jetë greva e paralajmëruar nga SBASHK-u. Është urgjente që MASHTI dhe SBASHK-u të gjejnë rrugën e komunikimit dhe bashkëpunimit me qëllim që të evitohet greva. Kjo duhet arritur para datës së paralajmëruar për grevën e përgjithshme. Ndryshe, çdo vonesë në fillim të mbarë të vitit shkollor do të shkaktojë zinxhir efektesh negative në cilësinë e mësimdhënies dhe rezultatet e nxënësve.

Nga viti i ardhshëm shkollor (2023-2024) parashihet që niveli parafillor të bëhet i obligueshëm. Sa ka kapacitete infrastrukturore Kosova që t’u ofrojë qasje të gjithë fëmijëve të përfshihen në këtë nivel?

Buleshkaj: Edukimi parafillor për fëmijët e moshës 5 vjeç parashihet të bëhet i obligueshëm nga viti shkollor 2023-2024. Ky është lajm i mirë. Aktualisht, shkollat fillore janë ofruesit më të mëdhenj të edukimin parafillor për fëmijët e moshës 5 vjeç, apo klasa 0 siç është e rregulluar me strukturën e arsimit në Kosovë. Përfshirja e fëmijëve në këtë klasë nuk është shumë sfiduese, sepse mbi 88% e fëmijëve edhe sot janë të përfshirë në programet parafillore, në shkolla fillore apo në institucionet e edukimit në fëmijërinë e hershme. Prandaj, me pak investime infrastrukturore, duke përshtatur hapësirat mësimore, mund të sigurohet përfshirje maksimale e fëmijëve të kësaj moshe. Sfidë mbetet cilësia dhe përshtatshmëria e programeve mësimore dhe përshtatja e tyre për këtë moshë të fëmijëve, jo kapacitetet infrastrukturore. Pra, sfidë është cilësia e shërbimit e jo përfshirja e fëmijëve.

Sa është e rëndësishme përfshirja e fëmijëve në nivelin parashkollor?

Buleshkaj: Gjithsesi përfshirja dhe pjesëmarrja e fëmijëve në nivelin parashkollor, pra Edukimi në Fëmijërinë e Hershme, është thelbësor për krijimin e një baze të qëndrueshme për zhvillimin, të mësuarit dhe mirëqenien gjatë gjithë jetës. Studimet e realizuara lidhur me testin PISA kanë treguar se vendet në të cilat është raportuar se nxënësit 15-vjeçarë (të cilët i janë nënshtruar testit PISA) kanë vijuar forma të ndryshme të edukimit në fëmijërinë e hershme, nga lindja e deri në klasën e parë, kanë treguar rezultate më të larta në testin PISA. Prandaj, s’do koment se sa e rëndësishme është përfshirja e fëmijëve në këtë nivel. Ajo që duhet theksuar është se MASHTI duhet siguruar jo vetëm rritje të përfshirjes dhe pjesëmarrjes, por përmirësim të cilësisë së shërbimeve në edukimin në fëmijërinë e hershme duke përfshirë: rritjen e numrit të institucioneve parashkollore në nivel vendi (aktualisht i kemi vetëm 49 institucione parashkollore publike në mbarë vendin), zhvillimin e kurrikulës për edukim në fëmijërinë e hershme, krijimi i infrastrukturës së përshtatshme si dhe koordinimi ndërsektorial për ofrimin e shërbimeve cilësore në këtë nivel.

Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.