Arbëri

Mbyllen hetimet për 91 mjekë që dyshoheshin se merrnin para nga kompanitë farmaceutike

Descriptive Text

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka mbyllur hetimet për 91 mjekë të dyshuar që merrnin para nga kompanitë farmaceutike. Hetimi është mbyllur pas 6 vjetësh, vetëm disa ditë para parashkrimit. KOHA në vitin 2016 kishte publikuar një seri për këtë çështje

Raporti i dyshimtë mes mjekëve të sistemit publik shëndetësor me kompanitë farmaceutike dëshmon neglizhencën e Prokurorisë së Shtetit në procese hetimore.

Deri më 13 qershor të këtij viti, 91 mjekë të QKUK-së, spitaleve rajonale, por edhe të Qendrave të Mjekësisë Familjare kanë qenë nën hetim se kanë përshkruar barna të caktuara të kompanive farmaceutike të caktuara, në këmbim të parave. Ligjërisht, një gjë e tillë është e ndaluar dhe konsiderohet korruptive.

Por, Prokuroria e ka mbyllur rastin vetëm pak ditë para parashkrimit.

Dhjetëra përgjime të kryera gjatë aferës “Stenta” flisnin për këtë raport mes mjekëve e kompanive farmaceutike.

KOHA në vitin 2016 arriti të siguronte dokumente të transfereve bankare të së paku tri kompanive farmaceutike, që dëshmonin këto pagesa. Pas hulumtimit të KOHËS, nisën hetimet për këtë rast.

Televizioni është informuar se si kishte shkuar hetimi gjatë këtyre 6 vjetëve, deri në mbyllje të hetimit.

Nga kur kishte filluar hetimi preliminar, në korrik të vitit 2016, hetuesia gati 2 vjet mblodhi veç informata. Kësisoj, në dokumentet në të cilat ka pasur qasje KOHA, thuhet që Njësiti Antikorrupsion i Policisë së Kosovës dorëzoi kallëzimin penal kundër 91 mjekëve më 12 prill të vitit 2018.

Kallëzimi Penal u dorëzua në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Sërish, hetimet preliminare ecën me hapa të ngadalësuar. Kësisoj, në dokument thuhet që prokurorja e rastit Fitore Sadikaj, bëri hetime parapenale edhe 1 vit e tetë muaj.

Në fundin e dhjetorit të vitit 2019, saktësisht më datë 27 dhjetor, ajo nxori aktvendim për hetimin e këtyre mjekëve. Sërish dokumentet tregojnë që pati ngecje. Prokurorja kishte në dispozicion edhe 2 vjet e gjysmë për t’i hetuar këta mjekë. Më 27 qershor të vitit 2022, rasti arrinte parashkrimin relativ. Vetëm 14 ditë para se të vinte kjo datë, hetimi siç ka mësuar televizioni u mbyll.

Burime të KOHËS kanë thënë që përkundër se hetimi ka zgjatur 6 vjet, prokurorja e rastit nuk ka arritur t’i intervistojë dhe ballafaqojë të gjithë të dyshuarit me provat që i posedonin.

Me një llogaritje të thjeshtë i bie që hetuesia për këtë rast në dispozicion i ka pasur 2190 ditë, për ta kryer këtë hetim. Për këtë kohë, nëse do ta kryenin punën e vet, i bie që një i dyshuar të mund të intervistohej çdo 24 ditë.

KOHA e ka telefonuar prokuroren, por ajo nuk është përgjigjur.

KOHA 6 vjet me herët ka siguruar prova, përmes të cilave dëshmohet se një numër i madh i mjekëve ka fituar para për të përshkruar barnat e kompanive të ndryshme farmaceutike. Në dokumentet e siguruara, përveç që kanë marrë para, këta mjekë kanë përfituar edhe shpërblime të tjera, si pushime e telefona celularë.

Kontratat në mes të mjekëve të sistemit publik dhe kompanive ishin lidhur në emër të “hulumtimit të efektshmërisë së barit” të caktuar. Por asnjë hulumtim mbi “efektshmërinë” e barnave nuk është publikuar, e as ligji nuk lejonte testimin klinik të barnave te pacientët, siç arsyetoheshin të gjitha palët asokohe.