Arbëri

Mustafi: S’ka arsye që shqiptarët e Luginës të kenë më pak të drejta se serbët e veriut

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka deklaruar nuk ka asnjë arsye që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë më pak liri dhe të drejta se serbët e veriut të Kosovës.

Duke iu referuar gjashtë pikave të marrëveshjes së kërkuar nga kryeministri Albin Kurti në takimin e 18 gushtit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel, Mustafi thotë se atë që e duan shqiptarët e Luginës për veten e tyre, ata nuk ia mohojnë të tjerëve.

“Pakicat nuk mund të jenë më burim ndasie, por duhet të jenë ura që lidhin fatet tona drejt të ardhmes evropiane. Por ama, atë që i jepet tjetrit, asnjë tjetër nuk mund të na e mohojë neve”, ka shkruar Mustafi në Facebook.

“Presidenti Vuçiq paska renditur gjashtë pika të marrëveshjes së kërkuar nga Kurti në Bruksel me shpjegime shtesë: 1. Parimet e përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe (njohja reciproke dhe refuzimi, hyrja në të gjitha organizatat ndërkombëtare), 2 . Zgjidhja e problemeve nga e kaluara (personat e pagjetur, konstatimi dhe zgjidhja e problemeve të personave të përdhunuar, të zhvendosurve, shkatërrimi i pronës publike private dhe kthimi i artefakteve dhe çdo artefakti tjetër të vjedhur prej Serbisë nga Kosova dhe në fund reparacionet e luftës që Serbia duhet paguajë), 3. Bashkëpunimi në të ardhmen, 4. Reciprociteti në të drejtat e njëjta për shqiptarët në Luginën e Preshevës me ato që kanë serbët në veri, 5. Rishqyrtimi i marrëveshjeve të dakorduara më parë, dhe siç tha Vuçiq, kjo më së shumti i referohet asaj që Prishtinës nuk i pëlqen – para së gjithash, themelimi i asociacionit të komunave serbe, 6. Marrëveshja përfundimtare”, ka shkruar ai.

Sipas tij, kjo është një mundësi historike e një paqeje të munguar, të identifikuar botërisht me luftën e me urrejtjen.

Mustafi shton se është një mundësi historike për të ndërprerë ciklin e trashëgimisë së traumave dhe pasojat traumatike te gjeneratat e së nesërmes që nuk i meritojnë.

“Për një paqe të qëndrueshme, sepse atë që duan shqiptarët e Luginës për veten nuk ia mohojmë tjetrit. Por ama, atë që i jepet tjetrit, asnjë tjetër nuk mund të na e mohojë neve! Pakicat nuk mund të jenë më burim ndasie, por duhet të jenë ura që lidhin fatet tona drejt të ardhmes evropiane”, ka shkruar ai.